Vala e të nxehtit ekstrem që ka përfshirë Spanjën ka shkaktuar të paktën 327 viktima që nga 21 qershori, ndërsa vendi është përballur me disa nga temperaturat më të larta të regjistruara ndonjëherë gjatë muajit qershor.
Sipas Agjencisë Kombëtare Meteorologjike të Spanjës, vala e të nxehtit përfundoi të enjten, por pasojat e saj kanë qenë të rënda. Bazuar në të dhënat historike që nga viti 1950, 23 qershori u regjistrua si dita më e nxehtë e qershorit në historinë e vendit.
Temperaturat më të larta u shënuan në veri të Spanjës, ku Aeroporti i Bilbaos vendosi rekorde të reja si për temperaturat maksimale gjatë ditës, ashtu edhe për ato minimale gjatë natës.
Autoritetet shëndetësore bëjnë të ditur se që nga fillimi i sezonit të monitorimit të temperaturave të larta në mesin e muajit maj janë regjistruar gjithsej 611 vdekje të lidhura me nxehtësinë ekstreme.
Ndërkohë, moti i nxehtë ka prekur edhe vende të tjera evropiane. Në Francë, 24 qershori u regjistrua si dita më e nxehtë, me temperaturën mesatare që kaloi 30 gradë Celsius për herë të parë gjatë një periudhe 24-orëshe, ndërsa gjatë javës së fundit janë raportuar edhe 40 viktima nga mbytja.
Sinjali – aty ku e vërteta flet para lajmit!


