Sunday, October 4, 2026
spot_img
HomeLajmeTë shtënat në Ortakoll, ndalohet Demokrat Morina – kush është “Llaseri” dhe...

Të shtënat në Ortakoll, ndalohet Demokrat Morina – kush është “Llaseri” dhe e kaluara e tij kriminale

Gazeta Sinjali ka raportuar më herët për incidentin me armë zjarri që ndodhi mbrëmjen e 3 tetorit në lagjen Ortakoll të Prizrenit, ndërsa tani ka mësuar edhe identitetin e tre personave të ndaluar.

Burimet e Sinjalit bëjnë me dije se bëhet fjalë për Demokrat Morinën, Bekim Mollakuqën dhe Roland Mollakuqën, të cilët janë ndaluar për 48 orë pas përfundimit të intervistimit, në prani të avokatëve mbrojtës.

Rasti ka ndodhur rreth orës 22:00 në rrugën “Faik Konica”, pas një mosmarrëveshjeje të çastit. Sipas informacioneve të siguruara nga Sinjali, Bekim Mollakuqa ishte duke kaluar pranë parkut të lagjes me bashkëshorten e tij, kur kishte pasur një përplasje verbale me Demokrat Morinën, lidhur me fjalorin që ky i fundit po përdorte në vend publik.

Situata dyshohet se kishte eskaluar kur Morina kishte ekspozuar armën. Mollakuqa kishte tentuar t’ia kapte armën dhe gjatë përballjes mes tyre ajo ishte shkrepur. Si pasojë, Morina kishte pësuar plagë në dorën e majtë, në dy gishta.

Në incident ishte përfshirë më pas edhe Roland Mollakuqa, i cili kishte shkuar në vendin e ngjarjes për t’i dalë në ndihmë babait të tij dhe dyshohet se kishte sulmuar Morinën.

Arma kishte mbetur në vendin e ngjarjes dhe më pas ishte sekuestruar nga Policia, së bashku me një gëzhojë, një karikator dhe tetë fishekë.

Pas veprimeve hetimore dhe konsultimit me Prokurorin e Shtetit, të tre të dyshuarve u është caktuar masa e ndalimit prej 48 orësh. Rasti po hetohet për veprat penale “Shkaktim i rrezikut të përgjithshëm” dhe “Mbajtje në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve”.

Ndërkohë, ky nuk është rasti i parë për të cilin Sinjali ka raportuar e në të cilin është i përfshirë Demokrat Morina, pasi ai është emër i njohur për organet e rendit.

E kaluara e Demokrat Morinës

Demokrat Morina, i njohur me nofkën “Llaseri”, nuk është emër i panjohur për organet e drejtësisë. Në vitin 2021, ai ishte shpallur fajtor nga Gjykata Themelore në Prizren për disa vepra penale, përfshirë tentim-vrasjen, kanosjen dhe mbajtjen në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve.

Në nëntor të vitit 2020, Morina ishte dyshuar se kishte tentuar ta vriste me armë zjarri një person në rrugën “Latif Berisha” në Prizren, duke e lënë atë të plagosur.

Derisa ishte në kërkim për këtë rast, ai ishte dyshuar edhe për një rast tjetër. Më 1 dhjetor 2020, sipas raportit policor të kohës, ai kishte kanosur me armë zjarri tre të mitur dhe ishte larguar nga vendi i ngjarjes.

Dy ditë më vonë, më 3 dhjetor, Njësia Speciale e Policisë së Kosovës kishte arritur ta ndalonte Morinën. Sipas njoftimit të atëhershëm të Policisë, ai kishte bërë rezistencë gjatë tentimit për t’iu shmangur arrestimit. Gjatë ndalimit, atij i ishte gjetur një armë e tipit Ekol Special99, kalibër 7.65, dhe pesë fishekë.

Morina ishte arrestuar sërish në korrik të vitit 2021, nën dyshimin se kishte tentuar të therte me thikë një 17-vjeçar në Prizren, të cilit i kishte shkaktuar lëndim në krah.

Për veprën penale “vrasje në tentativë”, Gjykata Themelore në Prizren e kishte dënuar me 26 muaj burgim, ndërsa për kanosje me pesë muaj burgim. Për dy raste të mbajtjes së paautorizuar të armëve, ai ishte dënuar me nga katër muaj burgim.

Në total, gjykata i kishte shqiptuar dënimin unik prej 37 muajsh, apo tre vjet e një muaj burgim. Aktgjykimi ishte vërtetuar nga Gjykata e Apelit më 24 nëntor 2021, ndërsa në dhjetor të atij viti ishte lëshuar urdhëresa për ekzekutimin e dënimit.

Ndërkohë, në rastin e sotëm në Ortakoll, hetimet po vazhdojnë për të sqaruar plotësisht rrethanat e incidentit dhe rolin e secilit prej tre personave të ndaluar.

Shënim: Personat e apostrofuar në këtë artikull prezumohen të pafajshëm derisa fajësia e tyre të mos provohet me vendim të formës së prerë nga gjykata.

Sinjali – aty ku e vërteta flet para lajmit!

/GazetaSinjali/

LAJME TË NGJASHME

LAJMET E FUNDIT