Dy të mitur janë vrarë dhe nëntë të tjerë janë plagosur si pasojë e një sulmi me armë të kryer nga një 16-vjeçar në një shkollë të mesme në Filipine.
Dy viktimat ishin nxënës 14-vjeçarë në Shkollën e Mesme Kombëtare Banga, në komunën Banga të provincës jugore të Mindanaos.
Kryebashkiaku i Bangës, Albert Palencia, bëri të ditur se gjendja e katër prej të plagosurve është kritike.
Sipas Palencias, një ditë para sulmit, 16-vjeçari kishte nxitur miqtë e tij që pas drekës të shkonin në banesat e tyre dhe të mos qëndronin në shkollë.
“Miqtë e tij qeshën sepse autori i vrasjes ishte një shakaxhi i njohur. Pas drekës, ai filloi të qëllonte studentët. Ai goditi 10 studentë përpara se të vriste veten”, tha Palencia.
Pas incidentit, mësimi është pezulluar “në të gjitha nivelet në të gjithë komunën e Bangës”.
Departamenti i Arsimit i Filipineve deklaroi se ishte “thellësisht i shqetësuar” për incidentin, i cili ndodhi të premten pasdite në Shkollën e Mesme Kombëtare Banga.
“Prioriteti ynë i menjëhershëm është siguria dhe mirëqenia e nxënësve, mësuesve dhe personelit të shkollës”, tha departamenti, duke shtuar se po koordinohej me autoritetet për të verifikuar incidentin dhe për të ofruar mbështetjen e nevojshme.
“Ne i bëjmë thirrje të gjithëve të qëndrojnë të qetë dhe të përmbahen nga ndarja e informacionit të paverifikuar ndërsa autoritetet vazhdojnë hetimin e tyre”, thuhet në deklaratë.
Ky është rasti i tretë i të shtënave vdekjeprurëse në një shkollë në Filipine që nga qershori i këtij viti.
Sinjali – aty ku e vërteta flet para lajmit!


