Monday, July 6, 2026
spot_img
HomeLajmeTë shtëna me armë pas një konflikti në Prishtinë, Policia bastis shtëpinë...

Të shtëna me armë pas një konflikti në Prishtinë, Policia bastis shtëpinë e 25-vjeçarit

Të shtëna me armë zjarri janë raportuar pasditen e së dielës në kryeqytet, pas një mosmarrëveshjeje mes disa personave, ndërsa një 25-vjeçar po hetohet për armëmbajtje pa leje dhe përdorim të armës, raporton Sinjali.

Burimet e Sinjalit bëjnë të ditur se rasti ka ndodhur rreth orës 17:30, në rrugën “Jeronim De Rada” në Prishtinë.

Sipas informacioneve të para, pas një konflikti verbal, ankuesi B. G rreth 37 vjeç ka deklaruar se i dyshuari Shpërblim Mehmeti 25-vjeç kishte nxjerrë një armë zjarri dhe dyshohet se kishte shtënë me të. Në incident është përfshirë edhe Beqir Gashi rreth 58 vjeç.

Të gjitha palët janë shoqëruar në Stacionin Policor për intervistim.

Në vendin e ngjarjes kanë dalë njësitë e hetimeve, forenzikës dhe Njësia për Hetimin e Krimeve të Përgjithshme, ku është gjetur dhe sekuestruar një gëzhojë, e cila dyshohet se është shkrepur nga arma e përdorur në incident.

Me urdhër të Prokurorit të Shtetit është kryer edhe bastisja e shtëpisë së të dyshuarit, por gjatë kontrollit nuk është gjetur asnjë send i dyshimtë.

Ndaj Shpërblim Mehmetit është iniciuar procedurë penale për veprat “Armëmbajtje pa leje” dhe “Përdorim i armës”, ndërsa hetimet për zbardhjen e plotë të rastit janë në vazhdim.

Shënim: Personat e apostrofuar në këtë artikull prezumohen të pafajshëm derisa fajësia e tyre të mos provohet me vendim të formës së prerë nga gjykata.

Sinjali – aty ku e vërteta flet para lajmit!

/GazetaSinjali/

LAJME TË NGJASHME

LAJMET E FUNDIT