Një përleshje fizike e shoqëruar me të shtëna me armë zjarri është raportuar mbrëmjen e sotme në rrugën “Vëllezërit Gërvalla” në Ferizaj.
Zëdhënësi i Policisë së Kosovës për rajonin e Ferizajit, Kanun Veseli ka konfirmuar për Sinjalin, ndërsa sipas tij, ngjarja ka ndodhur rreth orës 20:25, kur njësitë policore janë njoftuar për një rrahje në progres dhe kanë dalë menjëherë në vendin e ngjarjes.
Në vendin e ngjarjes është konstatuar se përveç përleshjes fizike mes dy personave, janë dëgjuar edhe të shtëna me armë zjarri.
Një person ka pësuar lëndime trupore nga përleshja, por jo nga arma e zjarrit.
Policia ka sekuestruar një armë zjarri dhe tri gëzhoja, ndërsa një i dyshuar është shoqëruar në stacion policor.
Personi tjetër i përfshirë është identifikuar dhe ndodhet në arrati, ndërsa hetimet po vazhdojnë.
“Një person ka pësuar lëndime trupore si pasojë e përleshjes, jo nga arma e zjarrit. Në vendin e ngjarjes është gjetur dhe sekuestruar një armë zjarri si dhe tri gëzhoja. Një person është shoqëruar në stacion policor, ndërsa i dyshuari tjetër është identifikuar dhe ndodhet në kërkim policor. Lidhur me rastin, njësitë relevante policore, përfshirë Hetimet dhe Forenzikën të stacionit, kanë dalë në vendin e ngjarjes, ndërsa disa njësi janë vënë në kërkim të dyshuarit.”, ka thënë Veseli.
Sinjali – aty ku e vërteta flet para lajmit!


