Monday, September 21, 2026
spot_img
HomeLajmeRama reagon ndaj aktgjykimit në Hagë: Një mort për së gjalli

Rama reagon ndaj aktgjykimit në Hagë: Një mort për së gjalli

Edi Rama ka folur për aktgjykimin e Gjykatës Speciale në Hagë ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit dhe Jakup Krasniqit.

Kryeministri shqiptar e ka komentuar vendimin gjatë një takimi me komunitetin shqiptar në Michigan të SHBA-së, duke thënë se e kishte të vështirë të gjente fjalët për të folur për këtë çështje.

Rama e përshkroi situatën si “një mort për së gjalli” dhe “një varrosje të njerëzve të gjallë”.

Ai tha se vendimet e gjykatave duhet të respektohen në një shoqëri demokratike, por sipas tij, kjo nuk e përjashton kundërshtimin e pasojave që mund të sjellë një vendim i tillë.

“Ka një fjalë që e përsërisim shpesh: ‘Respektoni vendimin e gjykatës’. Kjo duhet respektuar, kështu funksionon bota demokratike. Nuk diskutojmë këtë, jo vendimin e gjykatës, por edhe vetë vdekjen e pranon vetëm ai që vdes”, u shpreh Rama.

Duke folur për mënyrën se si vendimi është pritur në Kosovë, Rama tha se, sipas tij, një pjesë e shoqërisë nuk e sheh veten në përmbajtjen e aktgjykimit.

“Problemi në këtë rast nuk është të mos respektosh vendimin e gjykatës, por si të refuzosh varrosjen për së gjalli në emër të popullit, kur vetë populli nuk e gjen veten në atë vendim të dhënë në gjuhë të huaj”, deklaroi ai.

Rama theksoi se Shqipëria do të vazhdojë të qëndrojë pranë Kosovës, ndërsa tha se përfaqësuesit e zgjedhur shqiptarë do ta kundërshtojnë atë që ai e cilësoi si “varrosje për së gjalli” të katër ish-krerëve të UÇK-së.

“Shqipëria, në këtë mes, nuk mund të bëjë asgjë më shumë sesa t’i rrijë në krah Kosovës, por sidoqoftë, të zgjedhurit e popullit të saj do të refuzojnë varrosjen për së gjalli të atyre katër burrave”, tha kryeministri shqiptar.

Në fund, Rama iu referua edhe mundësisë së apelimit, duke thënë se aktgjykimi nuk duhet të shihet si një përfundim i pakthyeshëm i çështjes.

“Unë besoj se ai vendim nuk e pengon refuzimin e asaj varrosjeje si fatalitet pa apel”, përfundoi Rama.

Sinjali – aty ku e vërteta flet para lajmit!

/GazetaSinjali/

LAJME TË NGJASHME

LAJMET E FUNDIT