Një grup hakerësh nga Serbia ka pretenduar se ka sulmuar platformën kroate FinInfo.hr dhe një institucion shëndetësor në Kroaci, duke publikuar mijëra të dhëna në një forum në “dark web”.
Specialisti kroat i sigurisë kibernetike, Leon Juraniq, bashkëthemelues dhe drejtor teknik i kompanisë ThreatLeap, ka bërë të ditur se sistemi i kompanisë së tij ka identifikuar dy publikime të grupit serb INF Group, raporton Index.hr.
Sipas Juraniq, hakerët pretendojnë se kanë depërtuar në sistemin e FinInfo.hr dhe kanë publikuar rreth 34 mijë të dhëna nga baza e platformës.
Në një publikim tjetër, grupi pretendon se ka sulmuar edhe një institucion shëndetësor, emri i të cilit nuk është bërë publik. Hakerët thonë se kanë siguruar rreth nëntë mijë të dhëna, përfshirë informacione të ndjeshme, diagnoza dhe të dhëna të pacientëve.
INF Group, për të cilin raportohet se vepron nga Serbia, kishte marrë së fundmi përgjegjësinë edhe për një incident tjetër kibernetik, gjatë të cilit ishte publikuar një bazë me të dhëna të qytetarëve kroatë.
Grupi kishte pretenduar se informacionet vinin nga sistemi kroat i drejtësisë, duke paralajmëruar se ky ishte “vetëm fillimi”.
Ndërkohë, Instituti Kroat i Sigurimeve Pensionale kishte njoftuar se kishte eliminuar një incident të sigurisë kibernetike në aplikacionin HZMO Live – Kontakt centar dhe kishte rikthyer komunikimin e sigurt me përdoruesit.
Hakerët kishin pretenduar se dispononin të dhëna si emra, mbiemra, numra personalë identifikimi, numra telefoni dhe adresa elektronike.
Sinjali – aty ku e vërteta flet para lajmit!


