Një komision hetimor i autorizuar nga qeveria suedeze ka propozuar ndalimin e aksesit në rrjetet sociale për të miturit nën moshën 15 vjeç.
“Po humbasim një brez të tërë në riprodhimin e pandërprerë të përmbajtjeve,” paralajmëroi ministri i Shëndetësisë Publike, Jakob Forsment, gjatë një konference për shtyp.
Qeveria suedeze e krijoi këtë komision në vjeshtë, me qëllim vlerësimin e vendosjes së një moshe minimale për përdorimin e rrjeteve sociale. Kryetarja e komisionit, Lisa Englund, ka rekomanduar që kjo moshë të jetë 15 vjeç.
Sipas propozimit, përgjegjësia për verifikimin e moshës së përdoruesve do t’u takonte platformave si Snapchat, Instagram, Facebook, TikTok dhe YouTube. Ndërkohë, platformat e lojërave si Roblox, Minecraft dhe Fortnite mund të përjashtohen nga ky kufizim.
Dokumenti i propozuar do t’u dërgohet palëve të interesuara për konsultim, të cilat do të kenë mundësi të japin opinionet dhe komentet e tyre. Komisioni synon që teksti final të përfundojë deri më 1 janar 2028.
Ndërkohë, në dhjetor 2025, Australia u bë vendi i parë që ndaloi rrjetet sociale për fëmijët, me synimin për t’i mbrojtur ata nga ndikimet e mundshme në shëndetin mendor, ndërsa efektet e kësaj mase mbeten ende në vlerësim.
Sinjali – aty ku e vërteta flet para lajmit!


