Spitali i Përgjithshëm i Ferizajt ka dhënë detaje lidhur me foshnjën e vdekur në Emergjencën e këtij institucioni.
Sipas këtij spitali, pacientja është paraqitur në spital me ankesa për obstipacion (kapsllëk) dhe, në një moment, ka hyrë në tualet duke e mbyllur derën.
“Pas insistimit dhe presionit nga stafi mjekësor, të cilët kishin dëgjuar zërin e një foshnjeje, dera është hapur. Nëna kishte prerë kordonin umbilikal të foshnjës dhe e kishte hedhur atë në koshin e mbeturinave, në gjendje të rëndë dhe hipotermike.”, thuhet në njoftim.
Aty thuhet se menjëherë janë ndërmarrë masat emergjente për trajtimin e nënës dhe foshnjës, të cilat janë transferuar në repartet e Gjinekologjisë dhe Neonatologjisë. Sipas njoftimit, ekipi multidisiplinar, me përfshirjen edhe të anesteziologut, ka filluar menjëherë të gjitha procedurat reanimatore.
Sapo është konstatuar rasti, thuhet në njoftim, stafi shëndetësor ka njoftuar organet kompetente, përkatësisht Policinë e Kosovës.
“Foshnja është pranuar në gjendje shumë të rëndë shëndetësore dhe janë ndërmarrë të gjitha masat e nevojshme reanimatore nga ekipi multidisiplinar i spitalit. Pavarësisht përpjekjeve maksimale dhe trajtimit intensiv nga personeli mjekësor, foshnja ka ndërruar jetë.”, thuhet tutje.
Lidhur me rastin, janë njoftuar Policia e Kosovës dhe Prokuroria, të cilat kanë iniciuar hetimet. “Në procedurë janë përfshirë edhe inspektorët shëndetësorë dhe ekspertiza mjeko-ligjore. Me urdhër të prokurorit, trupi i pajetë i foshnjës është dërguar për obduksion në Instituti i Mjekësisë Ligjore, në kuadër të procedurave të mëtejshme hetimore.”, thuhet në njoftim.
Spitali i Përgjithshëm i Ferizajt ka njoftuar se është duke bashkëpunuar plotësisht me organet e drejtësisë dhe institucionet kompetente për zbardhjen e plotë të rrethanave të këtij rasti.
“Për shkak të ruajtjes së integritetit të hetimeve dhe respektimit të privatësisë së palëve të përfshira, për momentin nuk mund të ofrohen detaje shtesë”, përfundon njoftimi. /Klankosova.tv


