Rreth 320 gramë kokainë, municion luftarak, peshore elektronike dhe gjashtë telefona celularë janë sekuestruar në Lushnjë, ndërsa dy persona janë arrestuar në kuadër të operacionit të koduar “Motoristi”.
Sipas Policisë së Fierit, të arrestuarit, 31 dhe 39 vjeç, dyshohet se merreshin me shitjen e dozave të kokainës në zona të ndryshme të Lushnjës.
Gjatë kontrollit në banesën e 31-vjeçarit, policia gjeti 318 gramë lëndë të dyshuar narkotike kokainë, një peshore elektronike, fishekë për armë zjarri, një grirëse bimësh narkotike dhe tre telefona celularë.
Sipas hetimeve, 31-vjeçari dyshohet se shpërndante kokainë duke përdorur motomjetin me të cilin punonte për dërgimin e porosive ushqimore.
Ndërkaq, në banesën e 39-vjeçarit u gjet një tjetër sasi e lëndës së dyshuar narkotike kokainë dhe tre telefona celularë.
Policia ka bërë të ditur se vijon puna për dokumentimin e plotë të veprimtarisë së dyshuar kriminale dhe identifikimin e personave të tjerë që mund të jenë të përfshirë.
Materialet procedurale i janë referuar Prokurorisë për veprime të mëtejshme.
Sinjali – aty ku e vërteta flet para lajmit!


