Nënkryetari i Kuvendit të Kosovës, Kujtim Shala, ka thënë se vazhdimi i seancës konstituive dëshmoi se Lidhja Demokratike e Kosovës nuk e ka bllokuar në asnjë moment konstituimin e Kuvendit.
Në një përgjigje për Gazetën Express, Shala tha se është Lëvizja Vetëvendosje ajo që duhet të japë shpjegime për ndryshimin e qëndrimit lidhur me votimin e kandidaturës së tij për nënkryetar.
“Qëndrimin e ka ndryshuar Lëvizja Vetëvendosje dhe jo unë. Është Lëvizja Vetëvendosje ajo që duhet të japë shpjegime se pse e ka ndryshuar qëndrimin. Po ashtu, u dëshmua që LDK-ja nuk e ka bllokuar në asnjë moment konstituimin e Kuvendit”, tha Shala.
LVV-ja kishte bërë të ditur mbrëmë se, pas një mbledhjeje të brendshme, kishte vendosur t’i votonte kandidatët e PDK-së dhe LDK-së për nënkryetarë të Kuvendit.
Ky qëndrim ndryshoi nga seanca e së premtes, kur deputetët e LVV-së nuk e votuan kandidaten e PDK-së, Vlora Çitaku, ndërsa kandidatura e Kujtim Shalës nuk u hodh fare në votim. Si pasojë, deputetët e LDK-së e lëshuan sallën.
Sinjali – aty ku e vërteta flet para lajmit!


