Friday, July 17, 2026
spot_img
HomeLajmeSerwer: Nëse Vuçiq nuk do të pajtohej me Paunoviqin, ai do ta...

Serwer: Nëse Vuçiq nuk do të pajtohej me Paunoviqin, ai do ta shkarkonte atë

Profesori i njohur i Universitetit Johns Hopkins në Uashington, Daniel Serwer, ka reaguar ashpër ndaj deklaratave të ministres serbe të Administratës Shtetërore dhe Vetëqeverisjes Lokale, Snezhana Paunoviq, e cila tha se, po të ishte në vend të Slobodan Millosheviqit në vitin 1998, do ta kishte “spastruar etnikisht Kosovën”.

Në një intervistë për televizionin N1, Serwer e cilësoi deklaratën si të papranueshme dhe jashtëzakonisht të rëndë, duke theksuar se një reagim serioz institucional nga udhëheqja e Serbisë do të duhej të ishte i menjëhershëm.

“Nëse Vuçiq do të kishte qoftë edhe një pjesë të vetme të tij që nuk pajtohej me këtë, ai do ta shkarkonte menjëherë. Është një deklaratë aq e dënueshme sa është e vështirë ta përshkruash”, deklaroi Serwer.

Sipas profesorit amerikan, fakti që Paunoviq vazhdon të mbajë postin e saj ngre pikëpyetje jo vetëm për deklaratën në fjalë, por edhe për qëndrimin e institucioneve serbe ndaj retorikave që lidhen me spastrimin etnik.

Deklarata e ministres serbe, e bërë më 11 korrik gjatë një interviste në Kurir TV, ka shkaktuar reagime të shumta në Kosovë dhe në arenën ndërkombëtare.

Paunoviq, e cila vjen nga radhët e Partisë Socialiste të Serbisë, është kritikuar gjerësisht për deklaratat e saj, të cilat janë cilësuar si normalizim i ideve që lidhen me krimet dhe dëbimet masive të kryera gjatë luftës në Kosovë.

Pas reagimeve të shumta, institucionet e Kosovës e kanë shpallur Paunoviqin person non grata, ndërsa Ministria e Drejtësisë ka njoftuar se ka ndërmarrë hapa ligjorë ndaj saj.

Sinjali – aty ku e vërteta flet para lajmit!

/GazetaSinjali/

LAJME TË NGJASHME

LAJMET E FUNDIT