Njësiti i hetimeve i stacionit policor në Ferizaj, të enjten ka zbatuar urdhëresën me shkrim të Gjykatës Themelore në Ferizaj për kontrollin e shtëpisë dhe objekteve përcjellëse të të dyshuarit F.H., 35 vjeç, në fshatin Manastirc të Ferizajt.
Gjatë realizimit të kontrollit, policia bën të ditur se në garazhin që ndodhej në oborrin e të dyshuarit, përkatësisht në bagazhin e një automjeti BMW, ngjyrë e zezë, në pronësi të tij, janë gjetur dhe sekuestruar disa armë zjarri e fishekë.
U sekuestruan “një armë zjarri – pushkë automatike AK-47; tre karikatorë me gjithsej 139 fishekë; një armë zjarri – pistoletë; dhe, dy karikatorë me gjithsej 42 fishekë”, tha Policia në komunikatë.
Lidhur me rastin, policia ka njoftuar prokurorin e shtetit, i cili ka autorizuar inicimin e rastit për veprën penale “Mbajtja në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve”.
I dyshuari është intervistuar në prani të avokatit të caktuar sipas detyrës zyrtare.
Pas përfundimit të intervistimit, me vendim të prokurorit, i dyshuari është ndaluar për 48 orë, për procedura tjera hetimore. /Klankosova.tv


