Rusia ka paralajmëruar se mund t’i kundërpërgjigjet Mbretërisë së Bashkuar për mbështetjen ndaj Ukrainës, duke goditur objektiva ushtarake britanike brenda dhe jashtë territorit ukrainas.
Deklarata vjen pasi kryeministri britanik, Andy Burnham, bëri të ditur se Londra do t’i mundësojë Kievit qasje në teknologji të klasifikuar për prodhimin e raketave me rreze të gjatë veprimi “Storm Shadow”.
Zëdhënësja e Ministrisë së Jashtme ruse, Maria Zakharova, deklaroi se Britania dhe Franca “po luajnë me zjarrin”, duke paralajmëruar për një përgjigje të mundshme nga Moska.
Ndërkohë, “Wall Street Journal” ka raportuar se drejtori i CIA-s, John Ratcliffe, zhvilloi të martën një vizitë sekrete në Moskë, ku paralajmëroi Kremlinin kundër sulmeve ndaj vendeve të NATO-s.
Sipas gazetës amerikane, vizita pasoi një vlerësim të inteligjencës së SHBA-së se Rusia mund të jetë duke planifikuar ta testojë Aleancën përmes një sulmi të kufizuar ndaj një vendi anëtar. Një veprim i tillë mund të përfshijë një sulm kibernetik ose një inkursion në shkallë të vogël, me gjasë në ndonjë prej shteteve baltike.
Zëdhënësi i Kremlinit, Dmitry Peskov, i hodhi poshtë raportimet, duke i cilësuar ato si alarmuese dhe të shkëputura nga realiteti.
“Shumë materiale të tilla alarmuese po publikohen aktualisht. Sigurisht, ato nuk kanë asnjë lidhje me realitetin dhe as me synimet e Federatës Ruse”, deklaroi Peskov.
Moska ka kërcënuar vazhdimisht aleatët perëndimorë të Ukrainës që nga fillimi i luftës, përfshirë edhe me paralajmërime të tërthorta për përdorimin e armëve bërthamore.
Sinjali – aty ku e vërteta flet para lajmit!


