Friday, August 14, 2026
spot_img
HomeLajmeRusia: “Kuaziblloku ushtarak” Zagreb-Tiranë-Prishtinë çon drejt përshkallëzimit në Ballkan

Rusia: “Kuaziblloku ushtarak” Zagreb-Tiranë-Prishtinë çon drejt përshkallëzimit në Ballkan

Kroacia, Shqipëria dhe Kosova po krijojnë një “kuazibllok ushtarak” dhe një bosht të mbyllur Zagreb – Tiranë – Prishtinë, që destabilizon rajonin dhe çon drejt përshkallëzimit në Ballkan, pretendon Yury Pilipson, diplomat i lartë rus që drejton departamentin e Ministrisë së Punëve të Jashtme përgjegjës për Kroacinë dhe shtetet e tjera të Evropës Juglindore.

Ai ka komentuar deklaratën për bashkëpunim në mbrojtje, të cilën Kroacia, Shqipëria dhe Kosova e nënshkruan në mars të vitit 2025. Moska këtë dokument e përshkruan si përpjekje për krijimin e një blloku të ri ushtarak në Ballkan.

Pilipson, zyrtarisht drejtor i Departamentit të Dytë Evropian të Ministrisë së Punëve të Jashtme të Rusisë, për këtë ka folur të dielën në një intervistë për agjencinë shtetërore ruse TASS, ndërsa intervista është publikuar e plotë edhe në faqen e Ministrisë së Punëve të Jashtme të Rusisë, siç raporton media kroate “Index”.

“Boshti i mbyllur çon drejt përshkallëzimit”

“Krijimi i një kuaziblloku ushtarak të përbërë nga Kroacia, Shqipëria dhe Kosova, në dritën e deklaratës trepalëshe të nënshkruar në mars të vitit 2025, është një shembull tjetër i zbatimit të politikës së NATO-s për militarizimin e përshpejtuar të gjithçkaje dhe të gjithkujt”, deklaroi Pilipson, transmeton Klankosova.tv.

Ai pretendon se Moska ndan shqetësimin e autoriteteve në Beograd, të cilat në bashkëpunimin në mbrojtje ndërmjet Zagrebit, Tiranës dhe Prishtinës shohin një “ngarkesë të theksuar antiserbe” dhe një kërcënim të mundshëm për sigurinë e Serbisë.

“Kjo në mënyrë të pashmangshme çon drejt përshkallëzimit në Ballkan, sepse krijimi i një boshti të mbyllur Zagreb – Tiranë – Prishtinë, në rrethana kur ‘aleatët’ e rinj nuk kanë marrëdhënie harmonike me fqinjët e tyre, paraqet një faktor destabilizues që i tensionon më tej marrëdhëniet”, tha ai.

Objektivat e bashkëpunimit të kontestuara nga Moska

Diplomati rus veçoi veçanërisht zhvillimin e industrisë së mbrojtjes, prokurimin e përbashkët të pajisjeve ushtarake, rritjen e ndërveprueshmërisë së forcave të armatosura, si dhe lidhjen e sistemeve për përpunimin dhe shkëmbimin e të dhënave.

Ai pretendoi gjithashtu se forcimi i kapaciteteve ushtarake të Kosovës nuk është në përputhje me marrëveshjet ndërkombëtare, para së gjithash me Rezolutën 1244 të Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara. Bëhet fjalë për interpretimin e Moskës dhe Beogradit, të cilët i referohen kësaj rezolute duke kontestuar pavarësinë e Kosovës, shkruan “Index”.

Pilipson paralajmëroi gjithashtu për atë që e përshkroi si përpjekje për përfshirjen e Kosovës në strukturat euroatlantike. Kosova dëshiron të bëhet anëtare e NATO-s, por për anëtarësimin në Aleancë kërkohet pajtimi i të gjitha shteteve anëtare. Pavarësinë e Kosovës nuk e njohin katër anëtare të NATO-s – Spanja, Greqia, Rumania dhe Sllovakia.

Çfarë kanë nënshkruar Kroacia, Shqipëria dhe Kosova?

Ministrat e Mbrojtjes të Kroacisë, Shqipërisë dhe Kosovës nënshkruan deklaratën e përbashkët më 18 mars 2025 në Tiranë. Kroacia dhe Shqipëria janë anëtare të NATO-s, ndërsa Kosova nuk është anëtare e Aleancës.

Sipas shpjegimit të Ministrisë së Mbrojtjes së Kroacisë, deklarata synon forcimin e stabilitetit dhe sigurisë në Evropën Juglindore, mbështetjen e rrugës euroatlantike dhe bashkëpunimin më të fuqishëm ndërmjet tri shteteve, transmeton Klankosova.tv.

Dokumenti parashikon bashkëpunim në zhvillimin e kapaciteteve dhe industrisë së mbrojtjes, trajnime dhe ushtrime të përbashkëta ushtarake, luftimin e kërcënimeve hibride dhe rritjen e ndërveprueshmërisë së forcave të armatosura.

Megjithatë, me këtë deklaratë nuk është krijuar një aleancë formale ushtarake dhe as nuk është vendosur detyrimi për mbrojtje të përbashkët apo ndihmë automatike ushtarake.

Serbia ka reaguar ashpër ndaj deklaratës që nga fillimi. Presidenti Alleksandar Vuçiq dhe zyrtarë të tjerë serbë e kanë përshkruar bashkëpunimin e Kroacisë, Shqipërisë dhe Kosovës si kërcënim për Serbinë. /Klankosova.tv

LAJME TË NGJASHME

LAJMET E FUNDIT