Saturday, September 26, 2026
spot_img
HomeLajmeRrezikohet dueli Fury–Joshua? Fury zbulon përplasjen që po kërcënon meçin

Rrezikohet dueli Fury–Joshua? Fury zbulon përplasjen që po kërcënon meçin

Vetëm dy ditë pasi u zyrtarizua përballja mes Tyson Furyt dhe Anthony Joshuas, dueli i shumëpritur ka hyrë në një fazë pasigurie pas përplasjes mes promotorëve.

Meçi, i planifikuar për 11 dhjetor në stadiumin “Principality” në Cardiff dhe që pritet të transmetohet globalisht në Netflix, u konfirmua zyrtarisht të enjten pas vitesh negociatash.

Megjithatë, menjëherë pas zyrtarizimit ka nisur një përplasje mes palëve, kryesisht për shkak të përfshirjes së presidentit të UFC-së, Dana White, në organizimin e duelit.

Promotori i Joshuas, Eddie Hearn, ka kundërshtuar publikisht rolin e White, ndërsa ESPN ka raportuar se ai ka vënë në pikëpyetje përfshirjen e tij në marrëveshje.

Në këtë situatë ka reaguar edhe Tyson Fury, i cili ka akuzuar Joshuan dhe Hearnin se po tentojnë të tërhiqen nga përballja.

“Anthony Joshua dhe Eddie Hearn po përpiqen të tërhiqen nga ky meç”, ka pretenduar Fury në rrjetet sociale.

Boksieri britanik ka kritikuar ashpër Hearnin, duke pretenduar se qëndrimi i promotorit po rrezikon realizimin e përballjes.

“Eddie Hearn na e ka rrezikuar meçin më të madh në historinë e boksit”, ka shkruar Fury.

Ndërkohë, Fury ka bërë të ditur se Turki Alalshikh, një prej figurave kryesore në organizimin e duelit, po shqyrton edhe alternativa në rast se situata mes palëve nuk zgjidhet.

Megjithatë, deri tani nuk ka një njoftim zyrtar për anulimin e meçit. Përballja Fury–Joshua mbetet e planifikuar për 11 dhjetor në Cardiff, ndërsa përplasja e fundit mes promotorëve ka ngritur pikëpyetje vetëm pak ditë pas zyrtarizimit të saj.

Sinjali – aty ku e vërteta flet para lajmit!

/GazetaSinjali/

LAJME TË NGJASHME

LAJMET E FUNDIT