Dogana e Kosovës ka parandaluar një rast kontrabande në Pikëkalimin Kufitar në Glloboçicë, ku është ndaluar një automjet udhëtarësh me një sasi të madhe mishi të padeklaruar.
Sipas njoftimit zyrtar, mbrëmë rreth orës 18:20, zyrtarët doganorë kanë ndaluar për kontroll një automjet udhëtarësh, ku drejtuesi kishte deklaruar se nuk posedonte asgjë për të paraqitur para autoriteteve. Megjithatë, gjatë kontrollit të hollësishëm janë zbuluar “10 copë rollne dyneri me peshë nga 20 kg secila, në një sasi totale prej rreth 200 kg dhe me vlerë të përafërt prej 800 eurosh.”
Dogana thekson se përtej tentativës për shmangie të detyrimeve dhe taksave doganore, rasti paraqet shqetësim serioz për sigurinë ushqimore, pasi produktet po transportoheshin në një automjet të zakonshëm udhëtarësh, pa kushte higjienike dhe pa temperaturë adekuate (pa frigorifer), duke shmangur edhe kontrollin sanitar të Agjencisë së Ushqimit dhe Veterinarisë (AUV).
“Hyrja e produkteve të tilla jashtë çdo standardi të transportit dhe pa kontroll profesional përbën një rrezik potencialisht të lartë për shëndetin, ku nga kjo sasi mishi mund të prekeshin me mijëra qytetarë.”
Tutje, bëhet e ditur se malli është sekuestruar menjëherë dhe do t’i nënshtrohet trajtimit të mëtejshëm ligjor, ndërsa ndaj palës ka filluar procedura kundërvajtëse.
Sinjali – aty ku e vërteta flet para lajmit!


