Gazeta Sinjali raportoi një ditë më parë për arrestimin e një 27-vjeçari në Brezovicë, pasi Policia kishte gjetur mbi një kilogram substancë të dyshuar narkotike të llojit marihuanë, ndërsa sot Gjykata Themelore në Ferizaj i ka caktuar atij një muaj paraburgim.
Bëhet fjalë për të pandehurin N.B., për të cilin Sinjali mëson se është Noris Berisha, rreth 27-vjeçar.
Rasti kishte ndodhur më 19 gusht, rreth orës 23:30, pasi Policia në Shtërpcë kishte pranuar një ankesë nga qytetarët se në një vilë të pabanuar në Brezovicë ishte hasur substancë e dyshuar narkotike.
Sipas Gjykatës, pas daljes në vendin e ngjarjes, zyrtarët policorë kishin vërejtur një person duke ikur në drejtim të malit dhe, pas ndjekjes, kishin hasur në të pandehurin N.B., i cili ndodhej me një skuter të tipit NAS.
Gjatë kontrollit të tij, Policia kishte gjetur substancë të dyshuar marihuanë dhe dy peshore digjitale të vendosura në një çantë të zezë.
Kontrolli ishte zgjeruar më pas edhe në një vilë të një familjari të tij, ku ishte gjetur një sasi tjetër e substancës së dyshuar narkotike.
Në total, nga i pandehuri dhe vendi i ngjarjes janë sekuestruar 1 kilogram e 63 gramë substancë e dyshuar marihuanë, e ndarë në disa sasi, si dhe dy peshore digjitale, një çantë krahu të zezë dhe një thikë metalike.
Sipas Gjykatës, ekziston dyshimi i bazuar se këto mjete kanë qenë të destinuara për përgatitjen dhe ndarjen e substancës narkotike me qëllim të shitjes.
Pas mbajtjes së seancës dëgjimore, gjyqtari i procedurës paraprake i Departamentit për Krime të Rënda, Ilir Bytyqi, ka aprovuar kërkesën e Prokurorisë për caktimin e paraburgimit.
N.B. do të qëndrojë një muaj në paraburgim nën dyshimin se ka kryer veprën penale “blerja, posedimi, shpërndarja dhe shitja e paautorizuar e narkotikëve, substancave psikotrope dhe analoge”.
Gjykata ka bërë të ditur se ankesa eventuale kundër këtij aktvendimi nuk e pezullon ekzekutimin e masës së paraburgimit.
Sinjali – aty ku e vërteta flet para lajmit!


