Gazetari i “Gazetës Nacionale”, Arbër Ramadani, ka deklaruar në emisionin Rubikon se gjatë fushatave zgjedhore aktivizohen profile të rreme nga të gjitha partitë politike, por sipas tij, ato të Lëvizjes Vetëvendosje janë më të organizuara dhe me aktivitet të vazhdueshëm.
Ramadani tha se profilet e lidhura me partinë në pushtet kanë ndikim me të madh në përhapjen e përmbajtjeve në rrjetet sociale.
“Në fushata elektorale aktivizohen profile të rreme nga të gjitha partitë politike, kjo duhet me u theksu. Mirëpo te partia në pushtet, te LVV-ja, ajo që është dalluese në këtë kontekst është që janë aktive 24 orë, do të thotë që janë ‘full job’. Janë më të organizuar”, deklaroi Ramadani në Rubikon.
Sipas tij, interesimi për të hulumtuar fenomenin e profileve të rreme lindi fillimisht si një shqetësim personal, pasi vërente se përmbajtjet e pavërteta në Facebook shpërndaheshin më shumë sesa raportimet e bazuara në fakte.
“Kur filluam të merremi me profilet e rreme, këto që gjenerojnë përmbajtje të rreme në rrjetet sociale dhe që kanë ndikim të jashtëzakonshëm në Kosovë, fillimisht ka buru si shqetësim personal duke i pa tu dalë ato në Facebook, ato gënjeshtra që gjeneronin shumë komente, shumë ‘like’ e shumë shikime. Pastaj ka vazhdu me një bisedë në redaksi se çka po ndodh që një video ose artikull që përmban të vërteta gjeneron më pak shikime sesa gënjeshtrat e tyre, ku jemi ne si gazetarë”, deklaroi Ramadani. /Klankosova.tv


