Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, ka bërë të ditur se personat e angazhuar në operacionet për menaxhimin e zjarreve do të shpërblehen me një pagë ekstra për punën dhe angazhimin e tyre gjatë kësaj periudhe.
Gjatë një takimi me trupat e emergjencave civile dhe strukturat e Ministrisë së Mbrojtjes, Rama vlerësoi angazhimin e ekipeve në terren, ndërsa theksoi se Shqipëria këtë vit nuk është përballur me situata të rënda si në vitet e kaluara.
Ai bëri të ditur gjithashtu se flotës shqiptare pritet t’i shtohen edhe avionë zjarrfikës, të cilët sipas tij do të mbërrijnë në fund të vitit.
Ministri i Mbrojtjes ka theksuar se, pavarësisht një muaji korrik më të qetë sa i përket zjarreve, autoritetet kanë vazhduar punën për identifikimin dhe ndëshkimin e personave që shkaktojnë zjarre të qëllimshme.
Rama kërkoi që të gjitha strukturat të mbeten në gatishmëri, duke marrë si shembull situatën e zjarreve në disa vende evropiane, përfshirë Francën dhe Spanjën, ku temperaturat e larta kanë sjellë sfida të mëdha.
Kryeministri u bëri thirrje autoriteteve që të jenë të përgatitura për çdo situatë të mundshme gjatë sezonit të zjarreve.
Sinjali – aty ku e vërteta flet para lajmit!


