Monday, August 17, 2026
spot_img
HomeLajmeRaif Gashi e demanton ish-punonjësin e UDB-së për Vahide Brahën: “Ka qenë...

Raif Gashi e demanton ish-punonjësin e UDB-së për Vahide Brahën: “Ka qenë një Shote Galicë”

Ish-drejtuesi i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Raif Gashi, ka reaguar lidhur me deklaratat e Abdullah Prapashticës për Vahide Brahën, duke i cilësuar ato si të pavërteta.

Gashi ka thënë se e njeh personalisht Vahide Brahën dhe se ajo ishte një patriote e flaktë, e cila kishte kontribuar në lëvizjet kombëtare dhe kishte marrë pjesë në demonstratat e viteve 1968 dhe 1981.

“Vahide Braha ka qenë një nga gratë e rralla të Kosovës, e cila ka kontribuar shumë. Ka marrë pjesë në demonstratat e vitit 1968 – e ka mbajtë flamurin në demonstrata. Ka qenë pjesë e demonstratave edhe në vitin 1981. Është vlerë e lëvizjeve revolucionare të Kosovës”, ka deklaruar Gashi.

Ai ka treguar se në vitin 1983, kur ishte në arrati dhe vepronte ilegalisht, kishte qëndruar për rreth dy muaj në shtëpinë e Vahide dhe Meriman Brahës.

“Një nga tre bazat e mia ka qenë shtëpia e Vahide dhe Meriman Brahës. Vahide Braha për dy muaj më ka mbajtë mua me bukë, me strehim, me siguri, para se ta kaloja kufirin në Gjakovë për të kaluar në Shqipëri”, ka thënë Gashi.

Sipas tij, Braha kishte rrezikuar jetën duke e strehuar atë, ndërsa familja e saj ishte përndjekur dhe kishte pasur të burgosur politikë.

“Ajo ka qenë brilante, ka qenë në gjendje ta japë jetën për mua. Merimani ka qenë në burg, dhe kështu ajo ka rrezikuar edhe më shumë se aq”, është shprehur Gashi.

Ai ka kundërshtuar deklaratat e Prapashticës se Vahide Braha kishte qenë e lidhur me sigurimin jugosllav, duke thënë se me këto pretendime ajo po zhvlerësohet padrejtësisht.

Gashi ka folur edhe për pretendimin e Prapashticës se kishte qenë pjesë e Shtabit të Përgjithshëm të UÇK-së. Ai e ka demantuar edhe këtë deklaratë, duke thënë se Prapashtica ishte rekrutuar në UÇK vetëm rreth dy muaj para përfundimit të luftës.

“Abdullah Prapashtica është rekrutuar në UÇK jo më shumë e jo më pak sesa dy muaj pa përfunduar lufta dhe një nga njerëzit që e kam pritë dhe e kam sistemu jam unë – me propozim të Azem Sylës – në bazën e UÇK-së në Malin e Dajtit”, ka deklaruar Gashi.

Sinjali – aty ku e vërteta flet para lajmit!

/GazetaSinjali/

LAJME TË NGJASHME

LAJMET E FUNDIT