Qendra Klinike Universitare e Kosovës (QKUK) ka finalizuar një kontratë me vlerë prej 3,493,210 euro për furnizimin me materiale shpenzuese jashtë Listës Esenciale, të destinuara për nevojat e hemodializës.
Sipas njoftimit për nënshkrimin e kontratës, procedura është zhvilluar përmes prokurimit të hapur dhe ka përfshirë pajisje mjekësore, laboratorike dhe materiale të tjera të nevojshme për trajtimin e pacientëve.
Sipas njoftimit të autoritetit kontraktues, kontrata i është dhënë kompanisë Medi Health LLC, e cila ka ofruar çmimin prej 3,493,210 euro.
Në garë kanë marrë pjesë dy operatorë ekonomikë. Oferta e kompanisë Medi Health LLC rezultoi më e favorshmja.
Njoftimi është publikuar më 15 qershor 2026, ndërsa kontrata është lidhur në përputhje me Ligjin për Prokurimin Publik të Republikës së Kosovës.
Ky furnizim synon të sigurojë materialet e nevojshme për trajtimin e pacientëve që i nënshtrohen hemodializës në institucionet publike shëndetësore të Kosovës.
Ndryshe, QKUK sot ka njoftuar se ka zhvendos përkohësisht shërbimet e hemodializës për shkak të renovimeve.
Sipas QKUK-së pacientët e përfshirë në programin e hemodializës, do të trajtohen përkohësisht në qendrat më të afërta me vendbanimin e tyre, për shkak të punimeve renovuese në Qendrën e Hemodializës.



