Kaos është shkaktuar gjatë një fluturimi të Qatar Airways nga Melburni drejt Dohas, pasi dy pasagjerë meshkuj u bënë agresivë dhe u desh të neutralizoheshin e prangoseshin nga ekuipazhi.
Sipas mediave të huaja, incidenti ndodhi në fluturimin VA7, ku dy burrat nisën të silleshin në mënyrë të çrregullt menjëherë pas hipjes në aeroplan. Ata dyshohet se largoheshin vazhdimisht nga vendet e tyre, lëviznin nëpër kabinë dhe kontrollonin bagazhet.
Situata u përshkallëzua rreth gjashtë orë para uljes, kur dyshja dyshohet se filloi të zihej, të ofendonte pasagjerët dhe ekuipazhin, si dhe të lëshonte kërcënime. Një pasagjer pretendoi se ata bërtisnin se donin të lëndonin dhe qëllonin njerëz.
Sipas dëshmitarëve, dy burrat dyshohet se sulmuan fizikisht stafin, duke i goditur me kokë dhe duke i pështyrë. Për t’i mbajtur nën kontroll, thuhet se u deshën gjashtë ose shtatë persona për secilin prej tyre.
Situata u bë edhe më alarmante pasi dyshja dyshohet se pretendoi se kishte një armë zjarri.
Ekuipazhit iu desh të punonte për orë të tëra për t’i mbajtur nën kontroll, deri në uljen e aeroplanit në Doha.
Pas mbërritjes, policia e Katarit priti aeroplanin dhe arrestoi dy burrat, ndërsa pasagjerët duartrokitën ndërhyrjen e autoriteteve.
Qatar Airways konfirmoi se dy pasagjerë meshkuj u përfshinë në një përleshje fizike në bordin e fluturimit VA7 dhe tha se të dy u neutralizuan dhe iu dorëzuan autoriteteve vendase pas uljes.
“Siguria dhe mirëqenia e ekuipazhit dhe pasagjerëve tanë mbeten prioriteti ynë kryesor”, deklaroi kompania ajrore.
Sinjali – aty ku e vërteta flet para lajmit!


