Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës dhe Policia e Kosovës kanë arrestuar pesë persona të dyshuar për përfshirje në krime lufte gjatë konfliktit në Kosovë, në kuadër të operacionit të koduar “Reçaku II”.
Sipas autoriteteve, të arrestuarit dyshohen se kanë qenë pjesë e njësive të veçanta të policisë serbe dhe se kanë marrë pjesë në aksionin e 15 janarit 1999 në fshatin Reçak, ku u vranë 45 civilë shqiptarë në një nga masakrat më të rënda të luftës në Kosovë.
Prokurori i Prokurorisë Speciale, Ilir Morina, deklaroi se hetimet intensive gjashtëmujore kanë mundësuar identifikimin e personave të dyshuar, edhe pas ngritjes së aktakuzës së parë për këtë rast në dhjetor të vitit të kaluar.
“Hetimet që i kemi vazhduar gjatë këtyre muajve kanë bërë të mundur identifikimin e disa personave që kanë qenë pjesë e njësive të veçanta të policisë së Serbisë dhe që kanë marrë pjesë në aksionin e 15 janarit në Reçak”, tha Morina gjatë konferencës për media.
Policia e Kosovës bëri të ditur se pesë të arrestuarit janë:
N.P. (58 vjeç), nga Shtërpca, ish-pjesëtar i Ministrisë së Punëve të Brendshme të Serbisë;
S.J. (59 vjeç), nga Betollusha e Shtërpcës, ish-polic i pensionuar;
B.P. (57 vjeç), nga Serqa e Shtërpcës, ish-polic, i arrestuar në orët e para të mëngjesit në pikëkalimin kufitar në Merdarë;
S.M. (58 vjeç), nga Shtërpca, ish-pjesëtar i Ministrisë së Punëve të Brendshme të Serbisë;
S.S. (60 vjeç), nga Gjilani, aktualisht punëtor në shërbimet postare në Serbi, i cili sipas hetimeve ka qenë pjesë e formacioneve policore gjatë kryerjes së krimeve.
Sipas Policisë së Kosovës, arrestimet janë realizuar pas një sërë veprimesh hetimore dhe bastisjeve të kryera në pronat e të dyshuarve.
Autoritetet kanë bërë të ditur se hetimet për krimet e kryera në Reçak po vazhdojnë dhe se nuk përjashtohet mundësia e identifikimit dhe ndjekjes penale të personave të tjerë të përfshirë në ngjarjet e janarit 1999.
Masakra e Reçakut konsiderohet një nga krimet më të rënda të luftës në Kosovë dhe mbetet një prej ngjarjeve më të rëndësishme në historinë e konfliktit, e cila tërhoqi vëmendjen e opinionit ndërkombëtar dhe ndikoi në zhvillimet që pasuan në Kosovë.
Sinjali – aty ku e vërteta flet para lajmit!


