Prokuroria ka paralajmëruar ankesë ndaj aktgjykimit të Gjykatës Themelore në Pejë, e cila i shpalli të pafajshëm të akuzuarit për vrasjen e trefishtë në Gllogjan.
Pas shpalljes së aktgjykimit, prokurorja e rastit, Sahide Gashi, tha se vendimi i shkallës së parë nuk e përfundon betejën gjyqësore.
“Beteja vazhdon. Kjo është vetëm shkalla e parë. Do t’i shkojmë deri në fund”, deklaroi Gashi.
Gjykata e Pejës sot i shpalli të pafajshëm nga akuza për vrasje të rëndë në rastin e Gllogjanit Halil Mehmetajn dhe djemtë e tij, Kreshnik e Kastriot Mehmetaj.
Megjithatë, Halil Mehmetaj u dënua me tri vjet burgim, ndërsa Kreshnik Mehmetaj me një vit burgim për veprën penale të armëmbajtjes.
Në rastin tragjik të 26 nëntorit 2021, në Gllogjan u qëllua një autobus që po transportonte nxënës. Nga sulmi mbetën të vrarë dy nxënës 17-vjeçarë dhe shoferi i autobusit.
Prokuroria kishte pretenduar se motivi i vrasjes ishte hakmarrja ndaj shoferit të autobusit. Të akuzuarit gjatë procesit gjyqësor e kanë mohuar përfshirjen në vrasje.
Shënim: Personat e apostrofuar në këtë artikull prezumohen të pafajshëm derisa fajësia e tyre të mos provohet me vendim të formës së prerë nga gjykata.
Sinjali – aty ku e vërteta flet para lajmit!


