Avokati Besnik R. Berisha ka reaguar pas rrëfimit të Halim Kerzit në KALLXO.com, duke ngritur një varg pikëpyetjesh për besueshmërinë e deklarimeve të tij dhe, mbi të gjitha, për standardin me të cilin Prokuroria e Shtetit i ka trajtuar ato.
Berisha thotë se nuk e konteston të drejtën e Kerzit për të folur publikisht dhe as të drejtën e medias për ta intervistuar, por konsideron se një rrëfim i përsëritur me siguri dhe emocion nuk mund të marrë automatikisht statusin e së vërtetës së provuar.
Sipas tij, problemi fillon pikërisht te kundërthëniet.
Berisha pretendon se në deklarimet e mëhershme historia e Kerzit nis me Brunon, ndërsa në emision me Gjonin.
Ai po ashtu përmend dallime në vlerën e një veture, e cila sipas një versioni kushtonte 45 mijë euro, ndërsa sipas një tjetri 26 mijë.
Avokati ngrit pikëpyetje edhe për shumat dhe kohën e pretenduar të krijimit të obligimit.
Sipas tij, në një deklarim 21 mijë euro bëhen 28 mijë pas dy javësh, ndërsa në versionin televiziv e njëjta histori paraqitet me shumën 29 mijë euro po atë natë.
“Kur ndryshojnë personi, shuma, koha, origjina e obligimit dhe mënyra se si pretendohet se lindi fajdeja, problemi nuk është më kujtesa. Problemi është besueshmëria”, ka shkruar Berisha.
Pikërisht këtu, sipas tij, hyn përgjegjësia e Prokurorisë.
“Prokurori nuk është i thirrur t’i besojë denoncuesit. Është i thirrur ta verifikojë. Aty qëndron dallimi mes hetimit dhe besimit”, ka theksuar ai.
Berisha i referohet edhe një pjese të rrëfimit televiziv ku, sipas tij, Kerzi ka pranuar se gjatë bashkëpunimit me hetuesit kishte “inskenuar” një histori për një punë në Greqi me qëllim që t’i bindte personat me të cilët komunikonte.
Për avokatin, ky element nuk është i parëndësishëm.
Ai thotë se një veprim operativ i kontrolluar mund të ketë vend në hetim, por kur burimi qendror i akuzës pranon se ka simuluar rrethana apo ka krijuar skenarë për të nxjerrë reagime nga persona të tjerë, detyrimi i Prokurorisë për ta kontrolluar atë burim bëhet edhe më i madh.
Berisha ngre pikëpyetje edhe për të kaluarën dhe identitetin e Kerzit.
Sipas tij, dokumentacioni që disponon mbrojtja flet për disa identitete, histori penale dhe dokumente që lidhen me urdhërarreste ndërkombëtare për trafikim droge.
Ai kujdeset të sqarojë se e kaluara penale e një personi nuk e bën automatikisht të pavërtetë atë që deklaron.
Megjithatë, sipas Berishës, një person me identitete të ndryshme, interesa të drejtpërdrejta financiare dhe versione që ndryshojnë nuk mund të trajtohet si burim i pakontestueshëm vetëm për faktin se ka statusin e të dëmtuarit.
Një tjetër pikë e fortë e reagimit lidhet me tentativën e pretenduar për kontakt me gjyqtaren e çështjes.
Berisha thotë se vetë Kerzi ka pranuar publikisht se kishte tentuar ta kontaktonte drejtpërdrejt gjyqtaren, se i kishte shkruar në telefonin privat për shqetësimet e tij dhe se më pas ishte ankuar se numri i tij ishte bllokuar.
Për Berishën, ky standard do të shihej krejt ndryshe sikur të vinte nga pala tjetër në procedurë.
“Po të kishte ndodhur e kundërta, nuk besoj se do të kishte kaq shumë mirëkuptim”, ka shkruar ai.
Sipas tij, sikur i pandehuri apo mbrojtja të tentonin ta kontaktonin privatisht gjyqtaren për një çështje që lidhet me masën e sigurisë dhe më pas të ankoheshin publikisht pse nuk kishin marrë përgjigje, nuk do të flitej për “shqetësim”.
“Do të flitej për ndikim”, ka shkruar Berisha.
Ai ngre edhe një dilemë tjetër që lidhet drejtpërdrejt me Prokurorinë.
Sipas Berishës, në emision Kerzi ka pretenduar se një prokuror e kishte udhëzuar të shkonte në Polici dhe të deklaronte se nuk kishte asgjë me familjen Kuzhnini.
Ndërsa në një deklarim të mëhershëm, sipas tij, kishte dhënë një tjetër shpjegim, duke thënë se kishte vepruar nga frika se informacioni mund të dilte.
“Nëse pretendimi se prokurori e ka udhëzuar të deklarojë në këtë mënyrë është i vërtetë, Prokuroria duhet ta shpjegojë. Nëse nuk është i vërtetë, pyetja bëhet edhe më e rëndë”, ka shkruar Berisha.
Për të, çështja tashmë tejkalon vetë përplasjen me denoncuesin.
Ai thotë se problemi kryesor është standardi institucional me të cilin Prokuroria ka verifikuar burimin e akuzës.
“Prokurori nuk është avokat i viktimës, sikurse nuk është armik i të pandehurit. Ai është përfaqësues i shtetit dhe obligimi i tij nuk është ta dashurojë teorinë e vet të rastit, por ta sfidojë, ta provojë dhe, kur faktet nuk e mbajnë, të ketë kurajen ta braktisë”, ka shkruar Berisha.
Sipas tij, hetimi humb neutralitetin në momentin kur institucioni fillon ta besojë denoncuesin më shumë sesa ta verifikojë.
Në fund, Berisha thotë se çështja tashmë është para Gjykatës së Apelit dhe se aty nuk duhet të peshohet kush ishte më bindës para kamerës, por çfarë mbetet pasi të ballafaqohen versionet, të kontrollohen identitetet dhe të vlerësohen provat.
“Drejtësia nuk fillon kur Prokuroria vendos kë të besojë. Fillon kur ka kurajon ta vërë në dyshim edhe atë që i ka sjellë rastin në tavolinë”, ka përfunduar Berisha.
Sinjali – aty ku e vërteta flet para lajmit!


