Thursday, June 25, 2026
spot_img
HomeLajmeProkuroria kërkon burgim të përjetshëm për tre të akuzuarit në rastin e...

Prokuroria kërkon burgim të përjetshëm për tre të akuzuarit në rastin e vrasjes së trefishtë në Gllogjan

Prokuroria ka kërkuar dënimin maksimal me burgim të përjetshëm për tre të akuzuarit në rastin e vrasjes së trefishtë që tronditi Kosovën në nëntor të vitit 2021 në Gllogjan të Deçanit.

Të akuzuarit Halil Mehmetaj, Kastriot Mehmetaj dhe Kreshnik Mehmetaj po përballen me akuzat për organizimin dhe kryerjen e sulmit ndaj autobusit të udhëtarëve, ku mbetën të vrarë shoferi G.Gj. dhe dy nxënës 17-vjeçarë, L.H. dhe G.M.

Gjatë seancës gjyqësore, prokuroria deklaroi se provat e administruara gjatë procesit kanë rrëzuar çdo alibi të të pandehurve dhe kanë vërtetuar përfshirjen e tyre në krim. Sipas prokurorisë, dënimi maksimal është masa e vetme që i përgjigjet peshës së veprës dhe pritjeve të drejtësisë.

Sipas aktakuzës së ngritur nga Prokuroria Themelore në Pejë, ngjarja ndodhi më 26 nëntor 2021 në fshatin Gllogjan, ku të akuzuarit, pas planifikimit të detajuar të sulmit, dyshohet se organizuan pritën ndaj autobusit që transportonte nxënës dhe pasagjerë.

Aktakuza përshkruan se sulmi u krye me armë automatike, duke lënë të vdekur tre persona dhe duke plagosur një tjetër. Sipas pretendimeve të prokurorisë, motivi i krimit lidhet me një akt hakmarrjeje pas vetëvrasjes së një anëtareje të familjes Mehmetaj në vitin 2020, për të cilën familja kishte fajësuar shoferin e ndjerë.

Procesi gjyqësor pritet të vazhdojë me paraqitjen e fjalëve përfundimtare dhe vendimin e gjykatës lidhur me një nga rastet më të rënda kriminale të viteve të fundit në Kosovë.

Sinjali ka raportuar ekskluzivisht për rastin.

Sinjali – aty ku e vërteta flet para lajmit!

/GazetaSinjali/

LAJME TË NGJASHME

LAJMET E FUNDIT