Thursday, June 11, 2026
spot_img
HomeLajmePrizrenasit favorizojnë kandidatët lokalë, numërimi i votave kalon 78 për qind

Prizrenasit favorizojnë kandidatët lokalë, numërimi i votave kalon 78 për qind

Procesi i numërimit të votave për kandidatët për deputetë në Prizren po vazhdon, ndërsa deri më tani janë numëruar mbi 78 për qind e vendvotimeve në këtë komunë.

Sipas të dhënave të deritanishme, qytetarët e Prizrenit kanë treguar mbështetje të konsiderueshme për kandidatët që vijnë nga komuna e tyre, veçanërisht në disa prej subjekteve kryesore politike.

Në Lëvizjen Vetëvendosje, pas Albin Kurtit dhe Glauk Konjufcës, ndër më të votuarit janë Hajrullah Çeku dhe Artan Abrashi, të dy nga Prizreni. Ndërkohë, Albulena Haxhiu mbetet gjithashtu në mesin e kandidatëve më të mbështetur në këtë komunë.

Edhe në Partinë Demokratike të Kosovës, votuesit prizrenas kanë favorizuar kandidatët lokalë. Pas Bedri Hamzës, shumica e votave janë përqendruar te emra që vijnë nga Prizreni, përfshirë Faruk Bojaxhiun, Lumnije Rakajn, Nait Hasanin dhe Jona Hoxhajn.

Në Lidhjen Demokratike të Kosovës, Anton Quni rezulton kandidati më i votuar nga Prizreni, ndërsa në krye të listës së votave vazhdojnë të jenë Vjosa Osmani dhe Lumir Abdixhiku.

Ndryshe paraqitet situata në Aleancën për Ardhmërinë e Kosovës, ku pesë kandidatët më të votuar nuk janë nga Prizreni. Në krye të listës renditet Ardian Gjini, i pasuar nga Ramush Haradinaj, Bekë Berisha, Daut Haradinaj dhe Besnik Tahiri.

Numërimi në Prizren ende nuk ka përfunduar, ndërsa rezultatet përfundimtare pritet të sjellin një pasqyrë më të qartë për mbështetjen e kandidatëve në këtë komunë.

Sinjali – aty ku e vërteta flet para lajmit!

/GazetaSinjali/

LAJME TË NGJASHME

LAJMET E FUNDIT