Friday, June 5, 2026
spot_img
HomeLajmePrizrenasi dënohet me 14 muaj burg për zjarrin e shkaktuar me cigare...

Prizrenasi dënohet me 14 muaj burg për zjarrin e shkaktuar me cigare në Ulqin

Një shtetas i Kosovës nga Prizreni është dënuar me një vit e dy muaj burgim nga Gjykata Themelore në Ulqin, pasi u shpall fajtor për shkaktimin e një zjarri që përfshiu një objekt afarist në Ulqin vitin e kaluar.

Sipas njoftimit të gjykatës, H.L. (41 vjeç) është shpallur fajtor për veprën penale të “cenimit të rëndë të sigurisë publike”, pasi më 26 qershor të vitit të kaluar ka hedhur një bisht cigareje, duke shkaktuar zjarr që më pas përfshiu të gjithë objektin afarist, shkruan Vijesti.

“Gjykata Themelore në Ulqin ka shpallur aktgjykimin me të cilin i pandehuri H.L. (41), nga Prizreni, është shpallur fajtor dhe është dënuar me një vit e dy muaj burgim. Me të njëjtin aktgjykim, ai obligohet edhe të kompensojë dëmin e shkaktuar palëve të dëmtuara”, thuhet në njoftimin e gjykatës.

Sipas aktakuzës, zjarri ka shkaktuar dëme të mëdha materiale në zonën ku ka ndodhur ngjarja.

Gjatë caktimit të dënimit, gjykata ka marrë parasysh si rrethana lehtësuese faktin se i akuzuari është i martuar, baba i dy fëmijëve të mitur dhe pa precedentë penalë. Ndërkaq, si rrethanë rënduese është vlerësuar shkalla e lartë e dëmit material të shkaktuar, i cili, sipas gjykatës, tejkalon shumëfish nivelin minimal të nevojshëm për ekzistimin e kësaj vepre penale.

Palët kanë të drejtë ankese ndaj aktgjykimit brenda tetë ditësh nga pranimi i vendimit me shkrim.

Sinjali – aty ku e vërteta flet para lajmit!

/GazetaSinjali/

LAJME TË NGJASHME

LAJMET E FUNDIT