Policia e Kosovës ka ngritur shqetësimin për një formë të re mashtrimi që po qarkullon në rajonin e Prizrenit, duke rrezikuar drejtpërdrejt sigurinë financiare të qytetarëve.
Sipas njoftimit, qytetarë të ndryshëm kanë pranuar mesazhe të rreme, përmes të cilave paralajmërohen për bllokim të xhirollogarive bankare nëse nuk ndërmarrin veprime të menjëhershme. Këto mesazhe përmbajnë linke të dyshimta që kërkojnë futjen e të dhënave personale dhe bankare.
Policia thekson se pas klikimit dhe dhënies së informatave, persona të paautorizuar mund të kenë qasje në llogaritë bankare dhe të tërheqin mjete financiare në mënyrë të kundërligjshme.
Autoritetet u bëjnë thirrje qytetarëve që të mos hapin linke të panjohura, të mos ndajnë të dhëna personale dhe të raportojnë menjëherë çdo rast të dyshimtë në polici.
Policia e Kosovës thekson se mbetet e përkushtuar në luftimin e mashtrimeve dhe mbrojtjen e qytetarëve.
Sinjali – aty ku e vërteta flet para lajmit!


