Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, e përcolli kriminelin e luftës Ratko Mladiq me nderime shtetërore, ndërsa me një tjetër kriminel lufte, Vojislav Sheshelin, arriti marrëveshje për një aleancë parazgjedhore, ka deklaruar eurodeputeti kroat dhe raportuesi i Parlamentit Evropian për Serbinë, Tonino Picula.
Deklarata e Piculës u bë gjatë debatit në Parlamentin Evropian për glorifikimin e Ratko Mladiqit, ku ai kritikoi ashpër mënyrën se si autoritetet serbe e përcollën ish-komandantin e Ushtrisë së Republikës Srpska.
“Varrimi i Mladiqit është një tjetër ngjarje përmes së cilës u identifikua politika e Beogradit zyrtar. Përcjellja e një krimineli lufte nuk flet vetëm për një qëndrim plotësisht të papranueshëm ndaj së kaluarës së afërt tragjike, por edhe për drejtimin në të cilin kjo qeveri po e çon Serbinë sot. Vuçiq e përcolli një kriminel lufte me nderime shtetërore, ndërsa me një tjetër, Sheshelin, arriti marrëveshje për një aleancë parazgjedhore”, tha Picula gjatë debatit në Parlamentin Evropian për glorifikimin e Ratko Mladiçit.
Mladiq ishte dënuar nga gjykata ndërkombëtare në Hagë për gjenocid dhe krime lufte. Picula theksoi se Bashkimi Evropian duhet të kundërshtojë çdo përpjekje për revizionizëm historik dhe relativizim të krimeve.
“Ratko Mladiq është dënuar nga gjykata ndërkombëtare në Hagë për gjenocid dhe krime lufte dhe për këtë arsye nuk duhet heshtur për mënyrën e turpshme të përcjelljes së tij”, theksoi Picula, duke shtuar se Bashkimi Evropian duhet të luftojë kundër revizionizmit historik dhe relativizimit të krimeve, raporton N1.
Ai ngriti gjithashtu pikëpyetje mbi vazhdimin e procesit të negociatave të Serbisë me Bashkimin Evropian, duke kritikuar politikën e Beogradit zyrtar.
“Nëse autoritetet serbe po enden në mënyrë të programuar, BE-ja duhet të ndalojë së enduri në raport me një pushtet të tillë. Nuk duhet të mbyllë sytë para fakteve se Serbia e Vuçiçit nuk e ka vendin në Bashkimin Evropian… Krimineli i luftës Ratko Mladiç është varrosur, por bashkë me të nuk janë varrosur idetë për Serbinë e Madhe, përkatësisht për të ashtuquajturën botë serbe”, deklaroi Picula.
Para debatit në Parlamentin Evropian, reagoi edhe Partia Popullore Evropiane (EPP), e cila dënoi pjesëmarrjen e zyrtarëve të lartë serbë në varrimin e Ratko Mladiqit. Pjesë e EPP-së, si anëtare e asociuar, është edhe Partia Përparimtare Serbe.
Debati për Serbinë pritet të vazhdojë edhe në muajin tetor, kur janë planifikuar dy seanca të tjera. Në qendër të diskutimeve pritet të jenë sërish varrimi i Ratko Mladiqit, gjendja e demokracisë në Serbi dhe zhvillimet lidhur me zgjedhjet e caktuara për 25 tetor.
Këto çështje pritet të përfshihen edhe në raportin e Komisionit Evropian për Serbinë, i cili pritet të publikohet në fund të tetorit.
Ratko Mladiq, ish-komandant i Ushtrisë së Republikës Srpska, vdiq në Hagë ndërsa po vuante dënimin e përjetshëm për gjenocid dhe krime lufte. Ai u varros më 7 shtator në varrezat Topçider në Beograd.
Ceremonia mortore u drejtua nga patriarku serb Porfirije, së bashku me peshkopë të Kishës Ortodokse Serbe.
Në mesin e personave që morën pjesë për t’i bërë nderimet Mladiqit ishin edhe ministra serbë, lideri i koalicionit qeverisës në Republikën Srpska, Milorad Dodik, djali i presidentit serb, Danilo Vuçiq, si dhe ambasadori rus në Serbi, Aleksandar Botsan-Harchenko.
Sinjali – aty ku e vërteta flet para lajmit!


