Gazeta Sinjali ka raportuar sot për njoftimin e Agjencisë së Ushqimit dhe Veterinarisë (AUV) lidhur me tërheqjen nga tregu të produktit “Flips Ketchup” të kompanisë “Pestova”.
Lidhur me këtë rast, kompania “Pestova” ka sqaruar se bëhet fjalë për një seri të kufizuar të produktit “Flips Ketchup” dhe jo për produktin “VIPA Chips”.
Pestova ka bërë të ditur se menjëherë pas njoftimit ka vepruar në bashkëpunim me AUV-në dhe autoritetet kompetente në Slloveni.
“Pas sqarimit të situatës, dhe me rekomandim të autoriteteve kompetente në Slloveni, produktet janë lëshuar në treg për qarkullim të lirë”, thuhet në reagimin e kompanisë.
Kompania ka theksuar se produktet e saj vazhdojnë të shiten rregullisht në tregun e Sllovenisë dhe në vendet e tjera të Bashkimit Evropian.
Pestova ka mohuar se në procesin e prodhimit të produkteve të saj përdoren produkte të qumështit.
“Dëshirojmë të theksojmë se në asnjë fazë të prodhimit, në asnjë linjë dhe në asnjë produkt të Pestovës nuk përdoret qumësht, laktozë, hirrë apo ndonjë nënprodukt tjetër i qumështit”, thuhet në reagim.
Sipas kompanisë, kjo është konfirmuar edhe nga inspektimi zyrtar i AUV-së, ndërsa gjurmët e raportuara në Slloveni, sipas Pestovës, nuk kanë origjinë nga procesi i saj i prodhimit.
“Burimi i tyre po verifikohet përmes analizave shtesë në laboratorë të akredituar, dhe përfundimet do t’i ndajmë me autoritetet kompetente dhe me publikun sapo të jenë përfundimtare”, ka bërë të ditur kompania.
Pestova ka deklaruar se prej vitesh operon sipas standardeve ndërkombëtare për sigurinë dhe cilësinë e ushqimit, ndërsa produktet e saj certifikohen rregullisht nga organizata të pavarura dhe monitorohen nga autoritetet vendore dhe evropiane.
Ndryshe, gjatë ditës AUV njoftoi se produkti ushqimor “Flips Ketchup”, me prodhues “Pestova” dhe me datë skadimi 11.02.2027, po tërhiqet nga tregu.
Sinjali – aty ku e vërteta flet para lajmit!


