Pesë shtetase të huaja janë arrestuar në Tiranë, pasi dyshohet se ushtronin prostitucion në apartamente të marra me qira ditore, ndërsa aktiviteti reklamohej edhe në rrjetet sociale.
Operacioni policor i koduar “Last meeting” u zhvillua nga specialistët e Seksionit për Hetimin e Trafiqeve, pas monitorimit të hapësirës digjitale dhe verifikimit të rasteve të reklamimit të kësaj veprimtarie.
Në pranga kanë rënë V. P., 40 vjeçe, P. K., 42 vjeçe dhe P. M., 33 vjeçe, të trija shtetase vietnameze, si dhe L. Y., 42 vjeçe dhe X. H., 42 vjeçe, të dyja shtetase kineze.
Sipas Policisë, aktiviteti dyshohet se zhvillohej në tre apartamente, të marra me qira ditore në kryeqytet.
Në kuadër të hetimeve, një shtetas vietnamez, T. T., 35 vjeç, është shpallur në kërkim. Ai dyshohet se, kundrejt përfitimeve, ka siguruar kushtet për ushtrimin e kësaj veprimtarie nga tri shtetaset vietnameze të arrestuara.
Ndërkohë, vijojnë hetimet për persona të tjerë që dyshohet se kanë përfituar nga kjo veprimtari.
Operacioni është finalizuar pas një pune operative dhe monitorimit në rrjetet sociale, me qëllim identifikimin dhe goditjen e rasteve të prostitucionit të ushtruar nga shtetase të huaja në banesa të marra me qira ditore.
Materialet procedurale i janë referuar Prokurorisë për veprime të mëtejshme.
Sinjali – aty ku e vërteta flet para lajmit!


