Trupat e pajetë të pesë foshnjave janë gjetur në shtëpinë e një çifti në Orange, në departamentin Vaucluse të rajonit të Provence në Francë, gjatë një kontrolli të kryer nga policia.
Lajmi është bërë i ditur nga burime pranë hetimit, ka raportuar La Repubblica.
Sipas informacioneve të para, mbetjet e foshnjave ishin ruajtur në kuti brenda banesës së çiftit.
Ngjarja është zbuluar pasi gruaja kishte sjellë në jetë një fëmijë gjatë ditës së djeshme. Foshnja e porsalindur është gjallë dhe në gjendje të mirë shëndetësore.
Ky nuk është rasti i parë i dyshuar për vrasje të foshnjave në Francë gjatë këtij viti. Në muajin shkurt, një grua rreth 50-vjeçare u arrestua pasi dy trupa foshnjash u gjetën në një ngrirës në banesën e saj në Haute-Saône.
Ndërkohë, në vitin 2015, në jug të Francës, ishin gjetur gjithashtu trupa foshnjash në një ngrirës brenda një banese. Edhe në atë rast bëhej fjalë për pesë foshnja.
Sinjali – aty ku e vërteta flet para lajmit!


