Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Bedri Hamza, ka bërë të ditur se të enjten është takuar ndaras me liderët e tri partive parlamentare, Albin Kurtin, Lumir Abdixhikun dhe Ardian Gjinin, pas aktgjykimit të shpallur një ditë më parë në Hagë.
Hamza ka thënë se takimet janë zhvilluar me kërkesën e tij, ndërsa temat kryesore ishin situata e krijuar pas vendimit të Dhomave të Specializuara, sfidat me të cilat po përballet vendi dhe mundësitë për bashkëpunim politik.
“Sot, me kërkesën time, pas vendimit në Hagë, u takova ndaras me tre liderët e partive parlamentare, z. Kurti, z. Abdixhiku dhe z. Gjini”, ka shkruar Hamza në një postim në Facebook.
Ai i ka falënderuar të tre liderët për takimet, duke theksuar se në biseda është diskutuar për seriozitetin e situatës së krijuar dhe për mundësitë e bashkëpunimit në këtë periudhë.
“Ne biseduam për seriozitetin e situatës së krijuar, sfidat me të cilat po përballemi, si dhe për mundësitë e bashkëpunimit në këtë periudhë të rëndësishme për popullin dhe shtetin tonë”, ka deklaruar Hamza.
Takimet vijnë një ditë pas shpalljes së aktgjykimit të shkallës së parë ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit dhe Jakup Krasniqit në Dhomat e Specializuara në Hagë. Më herët gjatë ditës, Hamza është takuar edhe me kryeministrin Albin Kurti, me të cilin është diskutuar për hapat që mund të ndiqen lidhur me vendimin dhe procesin e apelimit.
Sinjali – aty ku e vërteta flet para lajmit!


