Sunday, July 12, 2026
spot_img
HomeLajmePersonat që dyshohen se u helmuan në piceri tregojnë për gjendjen e...

Personat që dyshohen se u helmuan në piceri tregojnë për gjendjen e tyre shëndetësore

Rreth 30 persona dyshohet se janë helmuar pas konsumimit të disa ushqimeve në tri pika të “SachPizza”.

Sipas informacioneve që ka siguruar Klankosova.tv, të dyshuarit se janë helmuar, kanë kërkuar ndihmë mjekësore në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës (QKUK) dhe në Qendrat e Mjekësisë Familjare.

Klankosova.tv ka kontaktuar me dy persona që pretendojnë se janë helmuar pas konsumimit të ushqimit në këtë rrjet të picerive në kryeqytet.

Njëri prej tyre tha se kishte konsumuar një sanduiç në pikën e “SachPizza” në Prishtinë të enjten, ndërsa simptomat u shfaqën pak orë më vonë.

Qitash jam tu marrë infuzion në QKMF te Qafa. Të enjten bashkë me dy kolegë kemi hanger sanduiç në Sach. Të enjten na kanë nisë simptomat, ndërsa të premten janë përkeqësu. Të shtunën u lajmëruam në QKMF te Qafa, na dhanë barna, por njëri prej kolegëve u dërgua në Klinikën Infektive, ku i thanë se dyshohet se helmimi është nga sanduiçi i Sachit”, deklaroi ai.

Një tjetër qytetar, i cili foli në emër të motrës së tij, tha se ajo vazhdon të ketë probleme shëndetësore, ndërsa pretendon se numri i të prekurve është mbi 30.

Motra është helmuar dhe ende nuk është kthjellë mirë. I di edhe disa raste të tjera që janë helmuar nga Sachi. Siç po flitet, dyshimet janë se helmimi ka ardhur nga sosi i picës”, tha ai.

Klankosova.tv ka mësuar se ata janë intervistuar edhe nga inspektorët e Agjencisë së Ushqimit dhe Veterinarisë (AUV).

Klankosova.tv ka kontaktuar edhe AUV-në për rastin, por nga ky institucion kanë bërë të ditur se, për shkak të ndarjes së kompetencave ndërmjet inspektorateve, nuk kanë dhënë detaje dhe kanë sugjeruar që informacionet të kërkohen në nivelin qendror.

Gjithashtu, Klankosova.tv ka tentuar të marrë një përgjigje edhe nga “Sachpizza”, por pavarësisht përpjekjeve ka qenë e pamundur kontakti me ta.

Rasti pritet të hetohet nga institucionet kompetente, ndërsa ende nuk ka një konfirmim zyrtar për shkakun e saktë të helmimit.

LAJME TË NGJASHME

LAJMET E FUNDIT