Në seancën e sotme të Kuvendit të Kosovës, dy projektligje për sektorin e energjisë – Projektligji për Energjinë dhe Projektligji për energjinë elektrike – nuk u përfshinë në rendin e ditës, pasi opozita nuk pranoi që ato të trajtohen me procedurë të përshpejtuar.
Deputetë të PDK-së, LDK-së dhe AAK-së kundërshtuan mënyrën e procedimit, duke e konsideruar të papranueshme dhe pa konsultim të mjaftueshëm.
Deputeti i PDK-së, Ferat Shala, kritikoi ashpër draftet, duke thënë se ato kanë parregullsi dhe po sjellin ndërhyrje të gabuar në sektor.
Nga ana tjetër, ministrja e Ekonomisë, Artane Rizvanolli, i mbrojti projektligjet, duke theksuar se ato janë në përputhje me direktivat e BE-së dhe janë të nevojshme për të shmangur humbjen e rreth 9 milionë eurove nga Plani i Rritjes së BE-së.
Seanca u shoqërua edhe me tensione mes deputetëve dhe kryetares së Kuvendit, Albulena Haxhiu, e cila refuzoi t’i japë fjalën deputetit Shala në një moment, duke shkaktuar reagime nga opozita.
Në fund, opozita dhe pushteti mbetën të ndarë rreth mënyrës së miratimit të këtyre projektligjeve dhe përmbajtjes së tyre.
Sinjali – aty ku e vërteta flet para lajmit!


