Gazetari i Klan Kosova, Besnik Tahiri, ka komentuar përgjimet e politikanëve në Bosnje e Hercegovinë, më saktësisht atë të ish-Presidentit të Republikës Serbe në BeH, Milorad Dodik me Bakir Izetbegoviqin, ish-kryesues i Presidencës boshnjake.
Në emisionin “Kosova Today” në Klan Kosova, Tahiri tha se dy nga ish-presidentët e BeH-së në përgjimet e publikuara dëgjohen teksa paralajmërojnë fundin e njëri-tjetrit, raporton klankosova.tv.
“Me interes është natyrisht edhe shfaqja e përgjimeve që ka ndodhur dje mes Milorad Dodikut dhe ish-presidentit të presidencës së Bosnjës dhe Hercegovinës, Bakir Izetbegoviq ku ata shahen me njëri-tjetrin, i paralajmërojnë fundin njëri-tjetrit”.
Tahiri tha se Dodik nuk e fsheh fare qëllimin e tij për destabilizimin dhe ndarjen e Bosnjës dhe Hercegovinës.
“Po absolutisht sepse e shajnë njëri-tjetrin, e ofendojnë njëri-tjetrin dhe po ashtu Dodik thotë se nuk e fsheh fare, po e citoj atë, do thotë, nuk e fsheh fare që e ka qëllimin jetësor, serbët e kanë qëllimin jetësor, për ta ndarë Bosnjën dhe Hercegovinën, për t’ia bashkuar Banja Llukën dhe Republika Sërpskën Serbisë, kurse Izetbegoviq thotë se Dodik do duhej të ishte i arrestuar, nuk do duhej të ishte fare aktiv në politikën e Bosnjës dhe Hercegovinës. Këto janë përgjimet që e kanë shkundur Ballkanin Perëndimor, sidomos Bosnjën dhe Serbinë, kjo për faktin sepse ka frikë të madhe sidomos në Beograd që ka edhe episode tjera të përgjimeve të Dodikut me liderë të Serbisë”, tha mes tjerash Tahiri.


