Sekretari i Mbrojtjes së Shteteve të Bashkuara, Pete Hegseth, ka refuzuar të martën të rikonfirmojë përkushtimin e SHBA-së ndaj mbrojtjes kolektive të NATO-s, duke thënë se kjo do të varet nga presidenti Donald Trump. Hegseth theksoi se aleatët evropianë nuk kishin qëndruar përkrah SHBA-së në luftën kundër Iranit.
Deklaratat e tij gjatë një konference për shtyp në Pentagon konsiderohen të jashtëzakonshme, duke pasur parasysh se mbrojtja kolektive është në themel të aleancës së NATO-s, e cila u formua në vitin 1949 me qëllimin kryesor për të kundërshtuar rrezikun e një sulmi sovjetik ndaj territorit të anëtarëve.
Ekspertët paralajmërojnë se çdo sinjal i SHBA-së që mund të mos jenë të gatshme të mbrojnë aleatët në rast të një sulmi nga Rusia ose ndonjë kundërshtar tjetër, mund të dobësojë ndjeshëm aleancën, edhe nëse Trump vendos të mos tërhiqet plotësisht prej saj, një vendim që mund të kërkojë miratimin e Kongresit.
Për më tepër, deklaratat mund të inkurajojnë Rusinë të testojë gatishmërinë e vendeve anëtare të NATO-s për të zbatuar Nenin 5 të aleancës, sipas të cilit një sulm i armatosur kundër një shteti anëtar konsiderohet si sulm kundër të gjithëve.
“Sa i përket NATO-s, kjo është një vendimmarrje që do t’i lihet presidentit. Por mund të them se shumë gjëra janë bërë të qarta”, ka thënë Hegseth i pyetur nga Reuters nëse SHBA-të janë ende të përkushtuara ndaj mbrojtjes kolektive të aleancës.
Hegseth më pas iu referua komenteve të fundit të Trumpit në rrjetet sociale, ku presidenti kritikoi Francën për moslejimin e fluturimit mbi territorin e saj të avionëve ushtarakë amerikanë që transportonin furnizime drejt Izraelit, si dhe kritikoi Britaninë për mosmarrjen pjesë në luftën kundër Iranit së bashku me SHBA-në dhe Izraelin.
Trump kishte deklaruar të premten se Shtetet e Bashkuara “nuk kanë pse të jenë aty për NATO-n”.
Sinjali – aty ku e vërteta flet para lajmit!


