Partia Demokratike e Kosovës ka shkuar sërish në sallën e Kuvendit të Kosovës, duke kërkuar që të thirret dhe të vazhdojë seanca konstituive.
Deputeti i PDK-së, Përparim Gruda, ka thënë se Kushtetuta e Kosovës duhet të respektohet nga të gjithë dhe se asnjë shumicë parlamentare nuk mund të qëndrojë mbi aktin më të lartë juridik të vendit.
“Por Kushtetuta e Kosovës nuk është statuti i Lëvizjes Vetëvendosje, as nuk mund të imponohet si rregull e përgjithshme e shoqërisë. Kushtetuta e Kosovës është akti më i lartë juridik dhe ashtu duhet të mbetet, dhe prandaj ne kemi ardhur sërish në vazhdimin e seancës konstituive për të shprehur qëndrimet tona. Të gjithë kemi qenë dëshmitarë gjatë krejt vitit 2025 të një bllokade të paparë në këtë Kuvend, ku partia që nuk kishte shumicën për ta zgjedhur kryetarin e Kuvendit vinte dhe propononte çdo 48 orë. Sot, të nderuar deputetë, partia që ka shumicën nuk vjen me propozu emra. Logjika është e njëjtë: me e blloku Kosovën. Edhe imagjinojeni, nuk i kishte votat, vinte me propozu. Sot që i ka votat, nuk vjen me propozu fare.”
Gruda ka thënë se afatet kushtetuese nuk janë element formal, por pjesë thelbësore e normave juridike. Ai ka përdorur shembuj nga funksionimi i institucioneve dhe shërbimeve publike për të argumentuar se çfarë pasojash do të kishte në shoqëri nëse secili do të vendoste vetë se kur t’i respektojë afatet dhe detyrimet.
“Afatet e përcaktuara në Kushtetutë janë të qarta, afatet nuk janë zbukurim i normave. Ato janë pjesë thelbësore, pjesë thelbësore e çdo norme. Vetëm imagjinojeni në një moment sikur të vendosësh që të gjitha shtresat e shoqërisë më s’me i respektuar afatet. Imagjinojeni sikur shkollat më s’t’i fillonin më 1 shtator e të thoshim se do të fillojnë diku nga mesi i shtatorit kur të jenë gati. Imagjinojeni një mësues që nuk shkon në orën e mësimit në orën 8:00 ose 9:00 ku ka me shku, por vendos me shku dy orë mbrapa. Imagjinojeni një mjek që nuk lajmërohet në spital, nuk del në punë, por del kur t’i teket atij. Imagjinojeni një polic që e lë trafikun me u bë kaos e nuk del në kohën kur është i përcaktuar. Çfarë do të ndodhte me këtë shoqëri? Do të futeshim në kaos. Ky Kuvend është modeli i përsosur për krejt shoqërinë kosovare. Kur këtu nuk respektohen afatet, si mund të presim që një shoqëri mund të funksionojë si shoqëri e bazuar në ligj dhe në rregulla?”, thotë ai.
Duke folur për raportin mes shumicës parlamentare dhe Kushtetutës, deputeti i PDK-së ka theksuar se Kushtetuta ka karakter kufizues ndaj pushtetit dhe se asnjë shumicë, pavarësisht sa e madhe është, nuk mund të veprojë jashtë kornizës kushtetuese.
“Kushtetuta, të nderuar kolegë, është koncept kundërmazhoritar. Çfarë nënkupton? Sado e madhe të jetë një shumicë në këtë Kuvend, prapë i nënshtrohet Kushtetutës. Jo 53, 120 deputetë me i marrë një parti, prapë i nënshtrohet Kushtetutës, sepse Kushtetuta ekziston për me kornizuar pushtetin, sado i madh dhe sado i rëndësishëm me numra që të jetë. Mosrespektimi i Kushtetutës në këtë Kuvend është simptoma e një pushteti anarkik. Dhe kjo duket si një formë, si një afeat, tha tutje ai
Gruda më pas iu është drejtuar qytetarëve, duke pretenduar se, sipas tij, një pushtet që nuk respekton kufizimet kushtetuese mund të ndikojë drejtpërdrejt në të drejtat dhe jetën e qytetarëve.
“Ju që na shikoni, ta dini, ky pushtet autoritar një ditë vjen edhe troket në derën e secilit prej jush: duke ju shkelur të drejtat thelbësore, duke ju nxjerrë prej punës, duke ju degraduar, duke ju mbyllur bizneset, duke ju mbajtur në arrest, duke ju falimentuar komunat që kanë protestuar, duke mos zhvilluar asnjë projekt, duke mos respektuar një gjykim të Gjokatës Supreme që thotë që s’mundesh me qenë edhe anëtar qeverie edhe deputet. Pse guxojnë me bërë këtë? Pse guxojnë këtë? Pse guxon ministri i Financave që e ka emrin në vendim të Gjyskatës me bërë këtë? Sepse është përmbysur rendi kushtetues. Sepse janë të bindur që forca e tyre politike shkon përtej, përtej Kushtetutës“, tha Gruda.
Deputeti i PDK-së ka përmendur edhe përvojën evropiane me Kushtetutën e Vajmarit, duke argumentuar se mbrojtja e një republike dhe e rendit kushtetues nuk mund të mbështetet vetëm te rezultati i zgjedhjeve apo te numri i votave që posedon një shumicë.
“Përvoja evropiane me Kushtetutën e Vajmarit na ka mësuar një gjë thelbësore: që republika nuk mbrohet vetëm përmes votave, vetëm përmes numërimit të votave. Prandaj, asnjë shumicë nuk ka të drejtë ta zhbëjë rendin kushtetues që e ka sjellë atë në pushtet. Ky rend kushtetues e ka sjellë Vetëvendosjen në pushtet“, shtoi ai.
Sinjali – aty ku e vërteta flet para lajmit!


