Ish-ministri i Infrastrukturës, Pal Lekaj, ka vendosur të mbrohet në heshtje në rigjykimin e rastit të njohur si “53-milionëshi”, raporton Sinjali.
Gjatë seancës së sotme në Gjykatën Themelore në Prishtinë, Lekaj ka shfrytëzuar të drejtën ligjore për të mos iu përgjigjur pyetjeve lidhur me akuzat e Prokurorisë.
Pas kësaj, seanca është ndërprerë, ndërsa vazhdimi i shqyrtimit gjyqësor është caktuar për nesër, në orën 09:30.
Kjo çështje po trajtohet në rigjykim nga trupi gjykues i kryesuar nga gjyqtarja Violeta Namani-Hajra.
Në këtë rast, krahas Lekajt, të akuzuar janë edhe Eset Berisha, Nebih Shatri dhe Besim Tahiri. Ata ngarkohen nga Prokuroria me veprën penale “Keqpërdorimi i pozitës apo autoritetit zyrtar” në bashkëkryerje.
Rasti lidhet me vendimin për ndarjen e 53 milionë eurove.
Shënim: Personat e apostrofuar në këtë artikull prezumohen të pafajshëm derisa fajësia e tyre të mos provohet me vendim të formës së prerë nga gjykata.
Sinjali – aty ku e vërteta flet para lajmit!


