Partia Demokratike e Kosovës (PDK) do të marrë pjesë në vazhdimin e seancës konstituive të Kuvendit të Kosovës, e cila është caktuar për 9 shtator.
Këtë e ka bërë të ditur kryetari i PDK-së, Bedri Hamza, pas mbledhjes së përbashkët të kryesisë dhe Grupit Parlamentar të kësaj partie.
Hamza tha se PDK-ja e sheh si të domosdoshme që Kuvendi të jetë i konstituuar para 16 shtatorit, kur pritet të shpallet vendimi përfundimtar nga Dhomat e Specializuara në Hagë për ish-krerët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.
“Ne jemi të bindur që në këtë kohë, Kosova ka nevojë që të ketë Kuvend të konstituuar. Ne presim që të festojmë në Kosovë, presim që ata të kthehen”, tha Hamza.
Ai bëri të ditur gjithashtu se PDK-ja do t’i bashkohet Marshit për Liri, i organizuar nga platforma “Liria Ka Emër”, më 12 shtator.
Sipas Hamzës, 12 dhe 16 shtatori janë dy data të rëndësishme për PDK-në, duke theksuar se marshi është i hapur përtej përkatësive politike.
“Lufta e UÇK-së, e popullit të Kosovës ka qenë luftë e drejtë, luftë e imponuar, luftë për liri dhe pavarësi”, deklaroi ai.
Hamza u bëri thirrje deputetëve që më 9 shtator të shmangen, siç tha ai, lojërat politike dhe të mundësohet konstituimi i Kuvendit.
PDK-ja, sipas tij, ka kërkuar vazhdimisht respektimin e rendit kushtetues dhe institucional dhe ka kundërshtuar shkeljet që, sipas saj, kanë ndodhur gjatë procesit të konstituimit.
“PDK do të jetë në Kuvendin e Republikës së Kosovës. Vazhdimisht kemi kërkuar, kemi konstatuar me të drejtë, e kemi faktuar që ka shkelje të Kushtetutës, të Rregullores së Punës së Kuvendit, ka shkelje të vendimit të Gjykatës Supreme”, tha Hamza.
Ai shtoi se për rreth një muaj PDK-ja ka insistuar që Kuvendi të konstituohet dhe institucionet e vendit të funksionalizohen.
Sinjali – aty ku e vërteta flet para lajmit!


