PDK-ja ka dorëzuar në Kuvend projektligjin për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit për Dhomat e Specializuara dhe Zyrën e Prokurorit të Specializuar, me të cilin propozohet kufizimi i juridiksionit të Speciales vetëm në veprat penale specifike të përcaktuara në Raportin e Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Evropës, Dok. 12462.
Sipas projektligjit të parë nga Sinjali, qëllimi është që juridiksioni i Dhomave të Specializuara dhe Zyrës së Prokurorit të Specializuar të kufizohet “ekskluzivisht në veprat penale specifike të përcaktuara në Raportin e Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Evropës, Dok. 12462” (Neni 1).
Në projektligj përcaktohet se Dhomat e Specializuara dhe Zyra e Prokurorit të Specializuar do të kenë juridiksion vetëm mbi vepra të caktuara penale, përfshirë rastet që lidhen me heqjen, nxjerrjen ose trafikimin e paligjshëm të organeve, indeve apo qelizave njerëzore, të identifikuara ose të pretenduara në raportin e Këshillit të Evropës.
Po ashtu, juridiksioni do të përfshinte vrasjen e paligjshme, torturën dhe trajtimin mizor ose çnjerëzor në vendet e specifikuara të ndalimit, por vetëm kur këto veprime janë të lidhura drejtpërdrejt ose menjëherë me aktet e heqjes së organeve (Neni 2).
Projektligji parasheh gjithashtu që Specialja të mos ketë juridiksion mbi raste të tjera të përgjithshme të krimeve të luftës apo krimeve kundër njerëzimit.
“Dhomat e Specializuara dhe Zyra e Prokurorit të Specializuar nuk kanë juridiksion lëndor (ratione materiae) mbi krimet e përgjithshme të luftës, krimet kundër njerëzimit ose dhunën politike në Kosovë që nuk përbëjnë elemente të drejtpërdrejta dhe konstituive të veprave të specifikuara më sipër.” (Neni 2)
Sipas nismës, as konteksti i përgjithshëm politik, konflikti i armatosur në përgjithësi apo pretendimet e përgjithshme për krim të organizuar nuk do të mund të shërbenin si bazë për zgjerimin e juridiksionit të Speciales (Neni 2).
Një tjetër ndryshim lidhet me juridiksionin kohor. Projektligji parasheh që Specialja të ketë juridiksion vetëm për veprat e përcaktuara në ligj që janë kryer nga 1 korriku 1999 deri më 31 dhjetor 2000.
“Dhomat e Specializuara dhe Zyra e Prokurorit të Specializuar kanë juridiksion vetëm mbi veprat penale të përcaktuara në nenin 6, paragrafi 1, të këtij ligji, të kryera në periudhën nga 1 korriku 1999 deri më 31 dhjetor 2000.” (Neni 3)
Projektligji parasheh edhe një mekanizëm për rishikimin e juridiksionit në çdo fazë të procedurës. Kërkesa mund të bëhet nga palët ose shqyrtimi mund të nisë edhe sipas detyrës zyrtare, ndërsa paneli kompetent do të duhej të merrte vendim brenda 15 ditësh, ose brenda 30 ditësh nëse mbahet seancë dëgjimore (Neni 6).
Nëse konstatohet se një akuzë ose procedurë nuk hyn në juridiksionin e Speciales, paneli do të shpallte mungesën e juridiksionit dhe do të urdhëronte përfundimin e procedurës në Dhomat e Specializuara (Neni 6).
Rastet e tilla do të transferoheshin në institucionet e drejtësisë së Kosovës. Gjykimet aktive, aktakuzat e konfirmuara dhe procedurat gjyqësore do të kalonin në departamentet përkatëse të gjykatave të Kosovës, ndërsa kallëzimet penale, hetimet dhe dosjet e prokurorisë do t’i kalonin Prokurorisë Speciale të Kosovës (Neni 6).
Projektligji parasheh që edhe rastet ekzistuese të rishikohen pas hyrjes në fuqi të ligjit. Ky rishikim do të bëhej brenda 30 ditësh, ndërsa rastet me juridiksion të përzier do të mund të ndaheshin dhe vetëm pjesa që nuk hyn në juridiksionin e Speciales të transferohej në Kosovë (Neni 10D).
Sinjali – aty ku e vërteta flet para lajmit!


