Wednesday, September 23, 2026
spot_img
HomeLajmeDënimi i katërshes së UÇK-së, Kurti i shpreh të dërguarës britanike shqetësimin:...

Dënimi i katërshes së UÇK-së, Kurti i shpreh të dërguarës britanike shqetësimin: Presim që në apel të adresohen padrejtësitë

Kryeministri Albin Kurti ka ngritur çështjen e aktgjykimit të shkallës së parë ndaj ish-krerëve të UÇK-së gjatë takimit me të Dërguarën e Posaçme të Mbretërisë së Bashkuar për Ballkanin Perëndimor, Dame Karen Pierce.

Kurti ka bërë të ditur se gjatë takimit ka shprehur shqetësimin e tij lidhur me dënimet e shqiptuara ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Jakup Krasniqit dhe Rexhep Selimit nga Dhomat e Specializuara të Kosovës.

“Shpreha shqetësimin për dënimet e rënda dhe të padrejta ndaj ish-drejtuesve të UÇK-së në shkallën e parë të Dhomave të Specializuara. Procesi nuk ka përfunduar dhe presim që në apel të adresohen padrejtësitë dhe mangësitë e këtij aktgjykimi”, ka deklaruar Kurti.

Përveç çështjes së Hagës, në takim janë diskutuar edhe zhvillimet politike dhe të sigurisë, raportet ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, gjendja e shqiptarëve në Luginën e Preshevës, si dhe perspektiva euroatlantike e Kosovës.

Kurti ka thënë se e ka falënderuar Pierce për qëndrimin e Mbretërisë së Bashkuar kundër glorifikimit të personave të dënuar për krime lufte, si dhe për mbështetjen britanike ndaj sovranitetit, pavarësisë dhe integritetit territorial të Kosovës.

Në takim është diskutuar edhe për synimet e Kosovës për anëtarësim në Këshillin e Evropës, marrjen e statusit të vendit kandidat për Bashkimin Evropian, si dhe thellimin e bashkëpunimit me Mbretërinë e Bashkuar në fushën e sigurisë dhe mbrojtjes.

“Me Mbretërinë e Bashkuar na lidh historia e çlirimit dhe shtetndërtimit, por edhe e ardhmja jonë e përbashkët euroatlantike”, ka shkruar Kurti.

Sinjali – aty ku e vërteta flet para lajmit!

/GazetaSinjali/

LAJME TË NGJASHME

LAJMET E FUNDIT