Komuna e Prishtinës u ka shprehur ngushëllime familjarëve të punëtorit që humbi jetën pas rrëzimit të një vinçi në një vendpunishte në kryeqytet, ndërsa ka bërë thirrje për respektim të rreptë të standardeve të sigurisë në punë.
Përmes një njoftimi në Facebook, Komuna ka shprehur ngushëllime për familjen, kolegët dhe të afërmit e viktimës, duke uruar shërim të shpejtë për punëtorin e lënduar, i cili, sipas ekipeve mjekësore, ndodhet në gjendje të rëndë, por stabile në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës (QKUK).
Komuna ka bërë të ditur se menjëherë pas pranimit të njoftimit për incidentin, në vendin e ngjarjes kanë reaguar Brigada Profesionale e Zjarrfikjes dhe Shpëtimit të Kryeqytetit, Policia e Kryeqytetit, pjesëtarët e Njësisë për Reagim të Shpejtë dhe Siguri, ekipet e Urgjencës Mjekësore, si dhe ekipet e Drejtorisë për Siguri dhe Emergjenca.
Sipas njoftimit, të gjitha ekipet kanë vepruar me profesionalizëm dhe koordinim të plotë ndërinstitucional, duke bërë përpjekje për shpëtimin e jetëve dhe sigurimin e vendit të ngjarjes.
Komuna ka falënderuar pjesëtarët e shërbimeve emergjente për angazhimin, guximin dhe profesionalizmin e treguar gjatë ndërhyrjes.
Lidhur me shkaqet dhe rrethanat e aksidentit, Komuna ka thënë se, sipas Policisë së Kosovës, njësitet relevante policore, në koordinim me Prokurorin e Shtetit, kanë nisur hetimet për zbardhjen e plotë të rastit.
Në fund, Komuna e Prishtinës ka ritheksuar rëndësinë e respektimit rigoroz të standardeve të sigurisë dhe mbrojtjes në punë në çdo vendpunishte ndërtimore, me qëllim të parandalimit të rasteve të tilla tragjike dhe mbrojtjes së jetës së punëtorëve dhe qytetarëve.
Ndërkohë, Inspektorati Qendror i Punës ka bërë të ditur se vendpunishtja e subjektit “Vëllezërit Asllani”, ku ndodhi ky incident i rëndë, nuk ishte inspektuar më herët.
Sipas Inspektoratit, arsyeja për këtë ishte se punimet në këtë vendpunishte ndodheshin në fazën fillestare të ndërtimit, përkatësisht në realizimin e themeleve.
Sinjali – aty ku e vërteta flet para lajmit!


