Një ndërhyrje jashtëzakonisht komplekse kirurgjikale është realizuar me sukses në një spital pediatrik në St. Louis të SHBA-së, ku mjekët kanë ndarë dy binjake dyvjeçare që kishin lindur të bashkuara në pjesën e kokës.
Vajzat, Hiyab dhe Wuhbto, kishin lindur në Etiopi me kafkat të bashkuara, një gjendje jashtëzakonisht e rrallë dhe që kërkon ndërhyrje shumë të ndërlikuara kirurgjikale.
Operacioni për ndarjen e tyre zgjati më shumë se 24 orë dhe në të morën pjesë mbi 60 profesionistë shëndetësorë nga fusha të ndryshme, përfshirë neurokirurgë pediatrikë, kirurgë plastikë dhe specialistë të kujdesit intensiv.
Ndërhyrja u konsiderua një nga operacionet më të rralla dhe më komplekse të realizuara në kirurgjinë pediatrike.
Pas ndarjes, të dyja vajzat kanë vazhduar trajtimin dhe rehabilitimin intensiv. Wuhbto tashmë i është nënshtruar me sukses një tjetër ndërhyrjeje për rindërtimin e kafkës, ndërsa Hiyab pritet t’i nënshtrohet të njëjtës procedurë më vonë gjatë vjeshtës.
Binjaket kishin mbërritur në Shtetet e Bashkuara nga Etiopia në vitin 2025, pak para se të mbushnin një vjeç.
Sipas spitalit, binjakët e bashkuar në kokë janë një fenomen jashtëzakonisht i rrallë, që ndodh afërsisht një herë në 2.5 milionë lindje.
Rasti i Hiyab dhe Wuhbtos kërkoi një përgatitje të gjatë dhe bashkëpunim të një ekipi të madh mjekësor, ndërsa pas operacionit fokusi kryesor është rikuperimi dhe rehabilitimi i të dyja vajzave.
Sinjali – aty ku e vërteta flet para lajmit!


