Tuesday, August 25, 2026
spot_img
HomeLajmePas martesës, Dua Lipa: Më interesojnë kompleksitetet e një marrëdhënieje

Pas martesës, Dua Lipa: Më interesojnë kompleksitetet e një marrëdhënieje

Dy muaj pas martesës me aktorin Callum Turner, këngëtarja shqiptare me famë botërore, Dua Lipa, ka folur hapur për dashurinë, jetën e re bashkëshortore, lidhjen e veçantë me Italinë dhe mënyrën se si po e sheh të ardhmen.

Në një intervistë për “Vogue Italia”, artistja 31-vjeçare ka treguar se martesa ishte një moment i veçantë për të dhe Turnerin, duke zbuluar edhe dy këshillat që çifti vendosi t’i ndiqte për ta shijuar sa më shumë ditën e tyre.

“Na dhanë shumë këshilla, por vendosëm të ndiqnim vetëm dy: ta jetonim atë ditë sikur të ishim edhe ne të ftuar, pra me më pak ankth dhe më shumë argëtim, dhe të kërkonim vazhdimisht njëri-tjetrin mes njerëzve, pa e humbur kurrë njëri-tjetrin nga sytë”, ka thënë ajo.

Festimet e martesës u zhvilluan në Palermo, pas ceremonisë civile në Londër. Për Lipën, Italia ka një rëndësi të veçantë, pasi aty thotë se ndihet e qetë dhe mirë me veten.

Por martesa ka ndryshuar edhe mënyrën se si ajo e sheh dhe e përjeton dashurinë. Nëse dikur këngët e saj ishin të mbushura me kërkimin e dashurisë së vërtetë dhe dhimbjen e zemërthyerjes, tani ajo dëshiron të eksplorojë një tjetër dimension të saj.

“Kur isha më e re, gjeja më shumë frymëzim te kërkimi dhe dëshira për dashurinë e vërtetë. Tani dua të zbuloj çfarë ndodh kur e gjen vërtet dashurinë. Më interesojnë kompleksitetet e një marrëdhënieje, anët e saj më të heshtura dhe gjërat e vogla”, ka thënë Lipa.

Për të, prania e bashkëshortit të saj tashmë lidhet drejtpërdrejt me ndjenjën e shtëpisë.

“Ndihem në shtëpi kudo që është Callum”, ka thënë ajo.

“Duhet të kem kujdes me atë që dëshiroj”

Lipa ka folur gjithashtu për manifestimin dhe besimin se mendimet dhe dëshirat mund të ndikojnë në atë që ndodh në jetë.

Në këngën “Training Season”, të publikuar në fillim të vitit 2024, ajo shprehte dëshirën për të gjetur dashurinë e vërtetë. Pak muaj më vonë, Lipa konfirmoi lidhjen me Turner, ndërsa dy vjet më pas çifti u martua.

“Duhet të kem kujdes me atë që dëshiroj, sepse pothuajse gjithmonë më realizohet”, ka thënë ajo.

Pavarësisht suksesit të jashtëzakonshëm në muzikë dhe famës ndërkombëtare, Lipa thotë se sot nuk e mat më suksesin vetëm përmes arritjeve profesionale.

“Dua një jetë të mbushur plot, por jo të zënë”, ka thënë ajo.

Për yllin shqiptar, suksesi i vërtetë nuk qëndron vetëm te karriera, por te jeta që ndërtohet përtej saj.

“Suksesi i vërtetë ka të bëjë me jetën që ndërtojmë rreth suksesit”, ka thënë Lipa.

Ajo ka treguar se gjatë viteve ka mësuar të krijojë një ekuilibër mes punës, familjes dhe hobive, ndërsa rutina e ndihmon të ruajë këtë balancë edhe gjatë udhëtimeve të shumta.

Leximi, një pjesë e rëndësishme e jetës së saj

Mes koncerteve, udhëtimeve dhe angazhimeve të shumta, Lipa ka thënë se gjithmonë gjen kohë për të lexuar. Ajo preferon një libër në dorë sesa telefonin dhe lexon edhe gjatë udhëtimeve me makinë.

Dashuria për librat e shtyu të krijojë “Service95”, platformën që trajton kulturën, stilin, udhëtimet, ushqimin dhe çështjet sociale. Ajo ka krijuar gjithashtu një klub leximi, përmes të cilit diskuton me autorë të njohur.

Lipa ka folur edhe për rëndësinë e aktivizmit, duke theksuar besimin e saj se shoqëria duhet të ndërtojë më shumë komunitet dhe solidaritet.

Nga Kosova në Londër

Në intervistë, Dua Lipa ka folur edhe për rrugëtimin e saj nga Kosova drejt skenës botërore.

Prindërit e saj, Anesa dhe Dukagjin Lipa, u larguan nga Kosova drejt Londrës në vitin 1992 për shkak të luftës. Më vonë, familja u kthye në Prishtinë, por dëshira e Duas për t’u bërë këngëtare e çoi sërish në Londër kur ajo ishte vetëm 15 vjeçe.

“Në Kosovë isha shumë mirë, por ndihesha se Londra, qyteti ku linda, mund të më jepte më shumë mundësi”, ka thënë ajo.

Prindërit e saj e mbështetën dhe i besuan ëndrrës së saj. Sot, Dua Lipa është një prej artisteve më të njohura në botë.

“Tani argëtohem shumë më tepër”

Dua Lipa ka rrëfyer se me kalimin e viteve ka ndryshuar edhe raporti i saj me veten. Ajo thotë se është bërë më pak perfeksioniste dhe më e gatshme ta pranojë jetën me të gjitha të papriturat e saj.

“Me kalimin e kohës kam mësuar ta fal veten dhe të jem më e butë me veten. E dua paparashikueshmërinë e jetës dhe duhet ta pranoj se tani argëtohem shumë më tepër”, ka thënë ajo.

Për Lipën, disa vlera mbeten të pandryshuara: mirësia, kurioziteti, guximi dhe dëshira për të mësuar gjithmonë.

Pas një periudhe të gjatë të jetës dhe muzikës së saj të përqendruar te kërkimi i dashurisë, artistja tashmë po hyn në një kapitull të ri: jo më atë të kërkimit, por atë të përjetimit të dashurisë që ka gjetur.

Sinjali – aty ku e vërteta flet para lajmit!

/GazetaSinjali/

LAJME TË NGJASHME

LAJMET E FUNDIT