Papa Leoni ka nisur një vizitë njëjavore në Spanjë, ku në fjalimin e tij të parë u ka bërë thirrje udhëheqësve botërorë që të shmangin ndarjet politike dhe përçarjet e shoqërisë përmes “thjeshtëzimeve sterile” që, sipas tij, nxisin polarizim dhe dëmtojnë dinjitetin njerëzor.
Duke folur në Pallatin Mbretëror në Madrid, para Mbretit Felipe VI, Papa theksoi se tendenca për të fituar popullaritet duke thelluar ndarjet shoqërore është rritur në mbarë botën dhe se kjo qasje po e vështirëson dialogun dhe bashkëjetesën.
Ai u bëri thirrje liderëve që të dëgjojnë më shumë thirrjet globale për paqe dhe të vendosin në qendër të politikave të tyre respektimin e çdo qenieje njerëzore.
Papa Leoni, i cili më herët ka kritikuar politikat anti-imigracion dhe qëndrimet për konfliktet ndërkombëtare, pritet të zhvillojë takime me grupe të ndryshme shoqërore gjatë vizitës së tij, përfshirë persona të pastrehë në Madrid dhe emigrantë në Ishujt Kanarie.
Në fjalimin e tij, ai theksoi gjithashtu rolin e teknologjisë në rritjen e polarizimit, duke paralajmëruar se ajo shpesh amplifikon paragjykimet dhe dobëson mendimin kritik.
Papa iu referua gjithashtu historisë së Spanjës si shembull të bashkëjetesës ndërfetare dhe bashkëpunimit kulturor, duke përmendur periudhat kur komunitetet e ndryshme kanë kontribuar në zhvillimin e dijes dhe përkthimin e teksteve në Evropën mesjetare.
Sipas tij, “kultura e takimit” është rruga që sjell stabilitet dhe prosperitet, në kontrast me përplasjet ideologjike që, siç u shpreh ai, shpesh e pengojnë progresin shoqëror.
Sinjali – aty ku e vërteta flet para lajmit!


