Kryeministri i Pakistanit, Shehbaz Sharif, ka bërë të ditur se negociatat ndërmjet Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe Iranit kanë hyrë në fazën përfundimtare, duke lënë të kuptohet se një marrëveshje paqeje mund të arrihet brenda 24 orëve të ardhshme.
Sipas Sharifit, palët ndodhen në pikën më të afërt drejt një zgjidhjeje diplomatike pas muajsh diskutimesh dhe përpjekjesh ndërmjetësuese. Ai theksoi se Pakistani ka luajtur një rol të rëndësishëm në afrimin e qëndrimeve mes Uashingtonit dhe Teheranit.
Kryeministri pakistanez bëri të ditur se drafti përfundimtar i marrëveshjes tashmë është përgatitur dhe se po zhvillohen përgatitjet teknike për nënshkrimin elektronik menjëherë pas miratimit të saj nga të dyja palët.
“Jemi më afër se kurrë arritjes së një marrëveshjeje. Finalizimi i saj mund të ndodhë brenda 24 orëve të ardhshme”, deklaroi Sharif.
Ai shtoi se pas nënshkrimit pritet të nisë një fazë e re bisedimesh teknike, e cila do të fokusohet në zbatimin e marrëveshjes dhe mekanizmat për monitorimin e saj.
Megjithatë, zyrtarë iranianë kanë treguar rezervë, duke theksuar se megjithëse është shënuar progres i rëndësishëm, ende ekzistojnë disa çështje që kërkojnë dakordim përfundimtar.
Në rast se marrëveshja nënshkruhet, ajo pritet të konsiderohet një nga zhvillimet më të rëndësishme diplomatike në Lindjen e Mesme gjatë viteve të fundit, me potencial për të ulur tensionet rajonale dhe për të hapur një kapitull të ri në marrëdhëniet mes SHBA-së dhe Iranit.
Sinjali – aty ku e vërteta flet para lajmit!


