Agjencia për Parandalimin e Korrupsionit (APK) ka njoftuar se kanë mbetur vetëm pak orë deri te mbyllja e afatit për deklarimin e pasurisë nga zyrtarët publikë.
Sipas të dhënave të publikuara nga APK-ja, deri më tani 271 zyrtarë ende nuk e kanë filluar procesin e deklarimit, ndërsa 276 të tjerë janë në proces të deklarimit. Ndërkohë, 9,825 zyrtarë publikë e kanë përfunduar tashmë procesin. Të dhënat janë të orës 16:00, ndërsa afati i fundit për deklarim është sot në orën 23:59:59.
Drejtori i APK-së, Yll Buleshkaj, ka paralajmëruar se çdo mosveprim brenda afatit do të ketë pasoja ligjore, përfshirë shqiptimin e gjobave dhe inicimin e procedurave të mëtejshme.
“Deklarimi nuk është opsion, por obligim ligjor dhe përgjegjësi ndaj publikut. Ftojmë të gjithë zyrtarët që të përfundojnë deklarimin pa asnjë vonesë. Mosrespektimi i afatit sjell pasoja ligjore. Koha po mbaron – veproni tani”, tha Buleshkaj.
Agjencia ka bërë të ditur se ekipet përkatëse janë në dispozicion për kujdestari, mbështetje teknike dhe sqarime të nevojshme deri në përmbyllje të afatit, megjithatë përgjegjësia për deklarim në kohë mbetet individuale dhe e pa transferueshme për secilin zyrtar publik.
Sinjali – aty ku e vërteta flet para lajmit!


